Lidhje

SHBA: Më shumë transparencë për Detin e Kinës Jugore


Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, thotë se veprimet e paparaljmëruara dhe të njëanëshme në ujrat e kontestuara të Detit të Kinës Jugore sfidojnë stabilitetin në rajon. Zoti Kerry u takua me udhëheqësit kinezë në Pekin për të diskutuar mbi pretendimet detare mes Kinës, Filipineve, Vietnamit dhe Malajzisë. Ai shkoi pastaj në Indonezi, ku zyrtarët po punojnë me Shoqatën e Vendeve të Azisë Juglindore, ASEAN-it për të ndihmuar në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Shtimi i patrullimeve kineze në Detin e Kinës Jugore i ka shqetësuar rivalët se ndoshta Pekini mund të krijojë të njejtën zonë mbrojtëse ajrore si ajo që është vendosur përreth ishujve që pretendohen nga Japonia në Detin e Kinës Lindore.

Sekretari Kerry i tha Presidentit kinez, Xi Jinping, se Uashingtoni shpreson për një qendrim më tansparent për çështjet e Detin të Kinës Jugore, për të pakësuar mundësinë e “keqkuptimeve”. Ndihmës sekretari i Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore, Danny Russel, thotë se Kina është e angazhuar në një veprimtari ekspansioni.

"Askush nuk mund të justifikojë në përputhje me ligjin ndërkombëtar të drejtën për të ushtruar kontroll në det të hapur”.

Pekini ka rënë dakord se mosmarrëveshjet duhen zgjidhur në bazë të ligjit ndërkombëtar, por thotë se Uashingtoni duhet të veprojë me kujdes për të mos e acaruar gjendjen. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Hua Chunying u shpreh:

"Shtetet e Bashkuara nuk janë palë në mosmarrëveshjet për Detin e Kinës Jugore dhe duhet t’i përmbahen angazhimit të tyre për të qendruar neutralë për çështjet e sovranitetit territorial dhe duhet të jenë të kujdesëshme në fjalët dhe veprimet e tyre”.

Shqetësimi më i madh për Detin e Kinës Jugore ka të bëjë me transportin tregtar. Analisti i Universitetit të Pekinit, Jia Qingguo, thotë se transporti nuk do të preket nga vijat ndarëse që përcakton Pekini për të ushtruar sovranitetin e tij mbi territoret e kontestuara.

"Qeveria kineze ka thënë disa herë se lundrimi është i lirë në këto territore, megjithë vijën ndarëse që ka vendosur. Me fjalë të tjera, kjo vijë ndarëse nuk është në kundërshtim me kërkesën e Shteteve të Bashkuara për lirinë e lundrimit”.

Profesori i Universitetit Amerikan, Lou Goodman, thotë se kërkesat për tregtinë dhe sigurinë e bëjnë Detin e Kinës Jugore një zonë potencialisht të rrezikshme konflikti mes Pekinit dhe Uashingtonit.

"Një fuqi si Kina dhe një fuqi si Shtetet e Bashkuara nuk mund të heqin dorë nga pozitat e tyre. Duhen gjetur zgjidhje të reja për mosmarrëveshjet, që të jenë të favorshme për të dy palët”.

Shtetet e Bashkuara këmbëngulin në zgjidhjen e pretendimeve nëpërmjet aleancës rajonale të ASEAN-it.

Por vendet më të vogla të ASEAN-it kanë frikë nga presioni i Kinës. Mbështetja e Uashingtonit tek Pekini për çështje si Siria dhe Irani u jep atyre pak siguri, thotë analisti i Institutit Amerikan Enterprise, Michael Auslin.

"Shtetet e Bashkuara kanë aq pak ndikim tek Kina, ose kanë vendosur të veprojnë në një mënyrë që pakëson çdo ndikim që do të kishte patur realisht. Në rastin më të mirë, Kina e shikon ASEAN-i si partner në negociata, ndërsa në rastin më të keq, si një grup vendesh nga ku mund të zgjedhin në kohën e duhur”.

Indonezia është një ndalesë e rëndësishme në përpjekjet e Sekretarit Kerry për Detin e Kinës Jugore, pasi aty ndodhet sekretariati i ASEAN-it dhe vendi ka një qeveri që po luan gjithnjë e më shumë një rol të rëndësishëm në zgjidhjen e pretendimeve në Detin e Kinës Jugore dhe që ka marrëdhënie të mira me Pekinin.
XS
SM
MD
LG