Lidhje

Kerry: Fond investimesh për palestinezët


Sekretari i Shtetit John Kerry thotë se udhëheqësit e biznesit global janë të gatshëm të investojnë deri në 4 miliardë dollarë në ekonominë palestineze për të mbështetur përpjekjet për gjetjen e një plani gjithëpërfshirës për paqe me Izraelin.

Sekretari Kerry thotë se nisma për investime nga sektori privat në turizëm, ndërtim, prodhimin e llambave, energjetikë, bujqësi dhe teknologji informatike ka filluar të japë rezultate fantastike.

Ai tha para pjesëmarrësve në Forumin Ekonomik Botëror në Jordani se investimet mund të shtojnë prodhimin e përgjithshëm të brendshëm 50 për qind gjatë tre vjetëve të ardhshëm, duke ulur papunësinë nga 21 për qind në 8 për qind, me përfitime të mëdha në bujqësi dhe sektorin e ndërtimit të shtëpive.

Zoti Kerry tha se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe Presidenti palestinez Mahmud Abaz e mbështesin planin, pasi palestinezët do të bëhen më të pavarur ekonomikisht, ndërkohë që përmirësohet klima e investimeve.

“Ashtu si njeriu që gjen dinjitetin e tij tek puna që bën, ashtu edhe një komb gjen dinjitet tek një ekonomi funksionale dhe dinamike që përmbush nevojat e popullatës. Kjo ndihmon për të ndërtuar të ardhmen”.

Në forumin ekonomik në brigjet e Detit të Vdekur, Presidenti izraelit Shimon Peres tha se plani i investimeve është një plus që u shtohet përpjekjeve amerikane për të rihapur bisedimet për një zgjidhje me ekzistencën e dy shteteve:

“Sekretari Kerry ka sjellë me vete një energji impresionuese dhe një dëshirë për të kontribuuar për përmbushjen e procesit të paqes. Asaj i shtohet një plan ekonomik shumë novator, që nuk zëvendëson planin politik, por i bashkangjitet atij”.

Presidenti Abaz tha se plani parashtrohet në një moment kritik për palestinezët. Ai foli përmes një përkthyesi:

“Brezi i ri ka filluar të humbë besimin në zgjidhjen me ekzistencën e dy shteteve, pasi ajo që shohin në jetën e përditshme i bën të humbin shpresën në të ardhmen”.

Zoti Kerry shpenzoi një pjesë të mirë të javës së kaluar në Lindjen e Mesme në takime me zyrtarë izraelitë dhe palestinezë. Ai tha se ka ardhur koha për vendime të vështira nga të dyja palët.

“Nëse nuk e kapim këtë shans me vendosmëri, do të ndëshkojmë veten me një konflikt që do të vazhdojë në të ardhmen. Po i hyjmë një rruge të rrezikshme të mbushur me potencialin e dhunës, që mund të thellojë më tej ndasitë dhe të rrisë destabilitetin”.

Plani i investimeve është i lidhur me të ashtu-quajturin Kuarteti i Lindjes së Mesme, ky përfshihen Shtetet e Bashkuara, Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Rusia, aktualisht nën udhëheqjen e ish-kryeministrit britanik Tony Blair.
XS
SM
MD
LG