Lidhje

Sekretari Kerry në Lindjen e Mesme


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry ndodhet në Lindjen e Mesme, një përpjekje kjo e re e tij për të rigjallëruar bisedimet izraelito-palestineze të paqes. Zoti Kerry u takua sot me Ministrin e Jashtëm izraelit Avigdor Lieberman dhe pastaj shkoi në Ramallah të Bregut Perëndimor ku zhvilloi bisedime me presidentin palestinez Mahmoud Abbas.

Disa qindra protestues marshuan nëpër rrugët e qytetit përpara vizitës së kryediplomatit amerikan për të dënuar bisedimet e paqes si një taktikë vonuese.

Zoti Kerry thotë se një marrëveshje kornizë do të ngushtonte dallimet mes dy palëve. Dje, zoti Kerry u takua me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

Sekretari Kerry arriti në Jeruzalem dje, në klimën e rezistencës nga zyrtarët izraelitë dhe palestinezë për rifillimin e bisedimeve të ngecura të paqes.

Pozitat në të dy anët duket se janë ngurtësuar. Mospajtimet rrjedhin nga propozimet për vendbanimet hebraike dhe marrëveshjet e sigurisë në pjesët palestineze të Bregut Perëndimor që kontrollohen nga forcat e izraelite të sigurisë.
Izraeli dëshiron garanci për sigurinë.

Sekretari Kerry dukej optimist se ai mund të gjejë gjuhën e përbashkët për të dy palët.

“Ne jemi në muajin e pestë të negociatave. E kemi ditur gjithmonë se arritja e paqes është një proces i gjatë dhe i komplikuar. Kjo është një rrugë e vështirë. Por nuk është mision i pamundur.”

Zoti Netanyahu vuri në dyshim angazhimin e palestinezëve për paqe dhe i kërkoi zotit Abbas të kundërshtojë terrorizmin.

“Populli i Izraelit dhe unë jemi të gatshëm për një paqe historike, por ne duhet të kemi një partner palestinez i cili është po aq i gatshëm për ta arritur atë. Paqe nënkupton fundin e provokimeve. Nënkupton luftë kundër terrorizmit dhe dënimin e terrorizmit. Nënkupton njohjen e Izraelit si shtetin e popullit hebre. Nënkupton plotësimin e nevojave të sigurisë të Izraelit, dhe përgatitjen për t’i dhënë fund me të vërtetë konfliktit njëherë dhe përgjithmonë.”

Qëllimi i Sekretarit Kerry tani për tani është të krijojë një plan për çështjet e mëdha që po pengojnë arritjen e një marrëveshjeje për paqe. Ato përfshijnë kufijtë, çështjet e sigurisë, statusin e Jeruzalemit dhe të drejtën e kthimit të refugjatëve palestinezë.
Udhëtimi i tij i tanishëm në rajon vjen pasi Izraeli liroi 26 të burgosur palestinezë këtë jave. Lirimi ishte pjesë e zotimit të Izraelit për të ndihmuar në rifillimin e bisedimeve të paqes.

Javët e fundit, Izraeli ka liruar 78 të burgosur palestinezë.

Presidenti Abbas i quajti të burgosurit e liruar kësaj javë “heronj,” një karakterizim që zoti Netanyahu e kundërshton.

Sekretari Kerry e ka bërë arritjen e një marrëveshjeje për paqe mes dy palëve një objektiv të lartë të politikës së jashtme. Shtetet e Bashkuara kanë caktuar fundin e prillit si objektiv për një marrëveshje.
XS
SM
MD
LG