Lidhje

Këshilli i Sigurimit shqyrton mundësinë për sanksione ndaj Libisë


Këshilli i Sigurimit shqyrton mundësinë për sanksione ndaj Libisë
Këshilli i Sigurimit shqyrton mundësinë për sanksione ndaj Libisë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, nënshkroi urdhërin ekzekutiv për t’i vënë sanksione të njëanëshme Libisë, duke thënë se vazhdimi i dhunës dhe trazirat në vend “përbëjnë një rrezik të jashtëzakonshëm” për sigurimin kombëtar dhe politikën e jashtme të Amerikës. Presidenti Obama tha se sanksionet kanë si synim qeverinë e Gadafit, për të ushtruar presion ndaj qeverisë për ndalimin e dhunës kundër protestuesve anti-qeveritarë. Ndërkohë edhe Këshilli i Sigurimit mori vendimin për sanksione ndaj Libisë, ndërsa Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut bëri thirrje për fillimin e hetimeve për krime kundër njerëzimit dhe rekomandoi largimin e Libisë nga ky këshill.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të marrë “hapa konkrete” për mbrojtjen e popullsisë civile në Libi ndërkohë që qeveritë në mbarë botën kanë dënuar udhëheqësin libian Moammar Gadafin për shkallëzimin e masave shtypëse kundër protestuesve të opozitës.

Ban Ki Moon i kërkoi Këshillit të Sigurimit të shqyrtojë një numër alternativash, si vendosjen e sanksioneve tregtare dhe financiare, ndalimin e udhëtimit, embargon e armëve dhe ngrirjen e pasurive libiane në vende të botës. Ai gjithashtu bëri thirrje për ndëshkimin e personave përgjegjës për shkeljen e të drejtave të njeriut.

“Ka ardhur koha që Këshilli i Sigurimit të shqyrtojë marrjen e hapave konkrete, ndaj Gadafit” tha sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. “Ditët e ardhshme do të jenë përcaktuese për libianët dhe po aq të rëndësishme janë pasojat për rajonin dhe më gjërë.”

Në Uashington, Shtëpia e Bardhë njoftoi vendosjen e sanksioneve të reja kundër Libisë, duke tërhequr gjithë stafin nga ambasada e saj në Tripoli. ndërkohë që aeroplani i fundit me shtetas amerikanë u largua nga kryeqyteti i përfshirë nga trazirat.

Këshilli i Sigurimit u takua në Nju Jork disa orë pasi Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut bëri thirrje për fillimin e hetimeve për krime kundër njerëzimit dhe rekomandoi largimin e Libisë nga ky këshill.

Në takimin e Këshillit të Sigurimit, ambasadori i Libisë në OKB Mohamed Shalgham denoncoi Gadafin, të cilin të martën ai e kishte quajtur mik të ngushtë. Ai tha se nuk mund të besonte që trupat e Gadafit hapën zjarr kundër protestuesve dhe bëri thirrje për vendosjen e sanksioneve.

“Libia u krijua nga një rezolutë e OKB-së. I lutem OKB-së ta shpëtojë Libinë. Ndalni gjakderdhjen dhe vrasjet e pafajshme. Ne kërkojmë një rezolutë përcaktuese, të shpejtë dhe të guximshme.”- tha zoti Shalgham.

Pas përfundimit të takimit, në konferencën për shtyp, zoti Ban e quajti takimin e Këshillit të Sigurimit një “skenë të jashtëzakonshme,” Ishte “një moment historik,” tha ai

Sekretari Ban Ki Mun tha se në Libi janë vrarë më shumë se 1 mijë njerëz. “Personat përgjegjës për vrasjen e njerëzve të pafajshëm duhet të ndëshkohen. Sfida jonë tani është mbrojtja e popullatës civile”, tha zoti Ban Ki Moon. Disa orë pas takimit, diplomatë të lartë libianë në Portugali, Francë, Suedi, dhe në diplomatët libianë në UNESKO denoncuan regjimin e Gadafit.

XS
SM
MD
LG