Lidhje

Kanadaja ka dëgjuar regjistrimin e vdekjes së Khashoggit


Kryeministri Justin Trudeau tha se Kanadaja e ka dëgjuar regjistrimin që i kishte dhënë Turqia, të momentit të vdekjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, që u vra në konsullatën e Riadit në Stamboll muajin e kaluar.

"Kanadaja është informuar plotësisht për gjithçka nga Turqia”, tha kryeministri kanadez të hënën.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan tha të shtunën se ia kishte dërguar regjistrimin Britanisë, Francës, Gjermanisë, Arabisë Saudite dhe Shteteve të Bashkuara.

Gazetari Khashoggi vdiq kur shkoi në konsullatën saudite në Stamboll më 2 tetor.

Në fillim, Arabia Saudite tha se Khashoggi u largua nga konsullata dhe se nuk ishte në dijeni për vendndodhjen e tij, pastaj se ai vdiq gjatë një zënke dhe më vonë se ai kishte vdekur pasi i ishte zënë fryma. Prokurori publik i mbretërisë që prej asaj kohe e ka quajtur vrasjen me paramendim, por nuk ka thënë se kush e ka planifikuar apo miratuar atë.

Zoti Çavusoglu tha të martën se pas bisedimeve të shumta me mbretin saudit Salman, Presidenti turk Erdogan është i bindur se mbreti nuk ishte i përfshirë.

Megjithatë, Çavusoglu tha se është e qartë se një ekip prej 15 vetësh që thuhet se kanë udhëtuar në Turqi për të vepruar si një skuadër vrasëse nuk do të kishin ndërmarrë një veprim të tillë pa urdhër dhe se hetuesit duhet të gjejnë se kush është përgjegjësi.

Turqia tha javën e shkuar se Khashoggi, një gazetar me banim në Shtetet e Bashkuara, i cili ka shkruar opinione për gazetën The Washington Post që ishin kritike ndaj princit saudit të kurorës Mohammed bin Salman, u mbyt sapo hyri në konsullatë, trupi i tij u shpërbë dhe pastaj u shkatërrua, me acid.

Deri tani nuk është gjetur asnjë gjurmë e trupit të gazetarit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG