Lidhje

E fejuara e Khashoggi-t kërkon drejtësi për vrasjen e tij


Pikërisht një muaj pasi gazetari saudit Jamal Khashoggi, kontribues i gazetës Uashington Post, për herë të fundit u pa duke hyrë në konsullatën saudite në Stamboll, e fejuara e tij, Hatice Cengiz i bëri thirrje Presidentit Donald Trump që të ushtrojë trysni mbi Arabinë Saudite për kthimin e eshtrave të tij dhe sjelljen para drejtësisë të personave përgjegjës për vrasjen e tij. Ajo foli përmes një video-konference në një ceremoni përkujtimore për gazetarin Khashoggi të premten në Uashington.

Një grup njerëzish u mblodhën në Uashington për të kujtuar jetën dhe trashëgiminë e gazetarit saudit Jamal Khashoggi. Duke folur përmes një video-konference nga Londra, e fejuara e tij, Hatice Cengiz kishte një mesazh për Presidentin Trump.

"Unë do të dëshiroja që zoti Trump të mbështeste përpjekjet ligjore të Turqisë në përpjekjen për të ndriçuar këtë rast dhe për të zbuluar vendndodhjen e trupit të tij. Unë falënderojë të gjithë ata që organizuan këtë ceremoni, miqtë dhe të dashurit e Jamal-it, dhe ata që mbështesin këtë shoqatë".

Pjesëmarrësit e tjerë i bënë thirrje Shteteve të Bashkuara që të përdorin ndikimin e tyre mbi sunduesit e Arabisë Saudite që të sillen para drejtësisë personat që urdhëruan vrasjen.

"Unë i bëj thirrje Presidentit Trump që të flasë qartë dhe pa mëdyshje për atë që ka ndodhur dhe për atë që Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura të bëjnë për këtë çështje. Të mos krahasohet vdekja e një njeriu në mënyrë brutale në konsullatën e një vendi tjetër, me interesat ushtarake. Kjo nuk është koha për këtë lloj balance. Është koha për të folur nga pikëpamja morale", tha ligjvënësi demokrat Gerry Connolly.

Presidenti Trump ka thënë se ai nuk është i përgatitur t'i japë fund shitjes së armëve nga Shtetet e Bashkuara për Arabinë Saudite dhe po pret më shumë fakte për të vendosur mbi veprimet që ai duhet të ndërmarrë.

Më shumë se 100 shkrimtarë dhe aktorë nga e gjithë bota nënshkruan një letër që i bën thirrje Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të kryer një hetim të pavarur të vrasjes.

Thomas Melia i organizatës Pen America lexoi fragmente nga letra:

"Vrasja e një gazetari brenda një strukture diplomatike do të përbënte asgjë më pak se një akt terrorist shtetëror me synim frikësimin e gazetarëve, disidentëve dhe kritikëve në mërgim në të gjithë botën".

Pjesëmarrësit e tjerë theksuan se nëse qëllimi i vrasjes së Jamal Khashoggi-it ishte të qetësonte një kritik të moderuar, ka shumë të tjerë që do të punojnë që trashëgimia e tij për mbështetjen e reformave paqësore në botën arabe të mbetet gjallë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG