Lidhje

Fushata dhe media - flasin kryeredaktorët


Fushata zgjedhore po zhvillohet përgjithësisht e qetë, pohojnë analistë dhe drejtues të njohur të shtypit, ndërsa pasqyrimi i saj në media sivjet u realizua për paradoks nga vetë partitë. Drejtuesi i redaksisë së lajmeve në TV ABC, Armand Shkullaku, vlerëson se fushata nuk ka tensione të dhunshme si herë të tjera. Ndërsa për pasqyrimin televiziv të fushatës zoti Shkullaku thotë se shumica e mediave janë kthyer në shërbëtore të partive dhe e pasqyrojnë fushatën ashtu si duan partitë dhe madje me tekstet dhe video-kasetat e tyre.


Sipas tij, edhe mungesa e debateve televizive midis kryeministrit Berisha e kryetarit socialist Rama është një tjetër provë e mungesës së presionit të mediave për t’i zhvilluar këto ballafaqime, sepse mediat kanë braktisur rolin dhe misionin e tyre qytetar.

Drejtuesi i redaksisë së lajmeve në TV Vizion Plus, Lutfi Dervishi, thotë se fushata është përgjithësisht e qetë dhe me nota tematike, ku mbizotëron çështja e punësimit. Zoti Dervishi thotë se mediat sociale po luajnë një rol më të madh në këtë fushatë, ndonëse nga ethet e garës së ngushtë partitë e kanë mbuluar të gjithë vendin me flamujt e tyre, dhe çdo faqe muri me reklama e fytyra kandidatësh për deputetë. Ndërsa vetë udhëheqësit kryesorë, sipas tij, kanë zgjedhur stile moderne. Zoti Dervishi vërejti që ndonëse në zgjedhje ato konkurrojnë me koalicione, shumica e partive po i bëjnë fushatat e tyre veç e veç.

Ndërsa Mentor Kikia, një nga drejtuesit e redaksisë së lajmeve në TV TOP CHANNEL, thotë se për fat të mirë fushata nuk ka incidente të rënda, por të bën përshtypje lumi i madh i premtimeve për investime, taksa e gjoba të ulura e të falura, qindra mijëra vende; të gjitha të pashoqëruara me fatura dhe studime konkrete. Megjithatë takimet e afërta me qytetarët janë të dobishme. Zoti Kikia thotë që edhe sivjet partitë e ptën maninë që të organizojnë tubime massive, duke i quajtur si prova të mbështetjes nga publike, por takimet e afërta janë më efektive, se sa tubimet e fryra për të brë përshtypje para telekamerave.

Kryeredaktorët pohuan gjithashtu se në këtë fushatë po mbizotëron matematika e koalicioneve, rezultatet pritet të jenë të ngushta dhe kjo e ka shtuar intensitetin e fushatës zgjedhore. Prej tyre vërehet si jokorrekte që politikanët nuk shpjegojnë programet qeverisëse për 4 vitet e ardhshme, por shfaqen në tubime së bashku me drejtues bashkiakë të majtë e të djathtë, duke bërë premtime për ndërtime komunale, e duke ngatërruar qëllimisht zgjedhjet parlamentare me ato vendore.
XS
SM
MD
LG