Kina ka lëshuar një dokument që analistët thonë se kërkon të justifikojë luftën kundër terrorizmit dhe masat e de-radikalizimit në rajonin perëndimor të Xinjiangut, ku deri në 1.5 milionë ujgurë dhe pakica të tjera myslimane vlerësohet të jenë detyruar në paraburgim në ato që Pekini i quan "qendra të formimit profesional".
Ky hap, thonë vëzhguesit, tregon se Kina duket se po e fiton luftën propagandistike, pasi shumë vende dhe organizata myslimane mbeten të heshtura për paraburgimin masiv. As qeveria nuk ka thënë se sa vetë janë duke u mbajtur në këto qendra
Vlerësimet jashtë shtetit janë se më shumë se një milion njerëz janë kapur në rrjetin e ekstremizmit të qeverisë. Dokumenti i lëshuar nga qeveria kineze thotë se që nga viti 2014, rreth 13,000 "terroristë" janë arrestuar në Xinjiang.
Dokumenti, i ashtuquajtur “Libri i Bardhë” arrin në përfundimin se Xinjiangu është fushëbeteja kryesore e Kinës për të luftuar terrorizmin dhe pohon se politikat e saj në rajon kanë dhënë një kontribut të madh në luftën globale kundër terrorizmit.
Grupet e të drejtave kanë shprehur shqetësim rreth qëndrimit të Kinës, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të përdorë sanksione kundër Pekinit për të ndalur shtypjen e myslimanëve në Xinjiang.
Kongresi Botëror i Ujgurëve e denoncoi menjëherë “Librin e Bardhë” duke e quajtur atë një shtrembërim të qëllimshëm të së vërtetës dhe duke argumentuar se ndalimi i detyruar nga Kina i më shumë se një milion ujgurëve është i paligjshëm.
Facebook Forum