Lidhje

Kinë, sekretet shtetrore jotransparente


Qeveria kineze publikoi rregulla të reja rreth ligjit të saj famëkeq mbi sekretet shtetrore, të përdorura në të kaluarën për t’i mohuar publikut informacionin rreth këtyre sekreteve, gjë që mund të dëmtonte imazhin e parties, ose të ndikonte tek ndërmarrjet shtetrore. Analistët thonë se këto rregulla nuk e bëjnë të qartë se çfarë kualifikohet si sekret shtetror.

Ligji kinez për sekretet shtetrore është kritikuar për një kohë të gjatë për moslejimin e përhapjes së informacionit mbi shqetësime të ndryshme si përhapja e sëmundjeve dhe statistikat financiare, për shkak të konfuzionit se çfarë përbën një sekret shtetror.

Për shkak të gjuhës së paqartë të ligjit, shumë zyrtarë zgjedhin ta mbajnë sekret informacionin, në vend që ta bëjnë publik për qytetarët dhe të rrezikojnë burgun.
Media kineze i përshkroi nenet e reja si një përpjekje për të shtuar trasnparencën e ligjit.

Por Sharon Hom, Drejtoresha Ekzekutive për të Drejtat e Njeriut në Kinë, thotë se rregullat e reja nuk ndryshojnë faktin se thuajse çdo gjë mund të cilësohet si sekret, si për shembull katastrofat e mjedisore, epidemitë, ose sigurinë e konsumatorëve.

"Kur të marrim përgjigje për këtë aspekt dhe kur autoritetet kineze ta bëjnë publik këtë informacion, atëhere mund të themi se është bërë një farë përparimi në transparencë dhe në informimin e publikut, por tani për tani ekziston një pikëpyetje e madhe."

Kina klasifikon 7 lloje sekretesh shtetërore: nga informacioni rreth vendimeve të rëndësishme politike deri tek shkenca, teknologjia dhe çështjet ushtarake. Dokumentat që nuk u lejohen publikut pritet të identifikohen qartazi si të tilla, në mënyrë që ata persona që përpiqen të sigurojnë këto informacione të jenë në dijeni të rreziqeve.

Por zonja Hom thotë se kjo nuk është mënyra se si zbatohet ligji.

“Ne kemi dokumentuar 42 raste kur ishte e qartë se nuk kishim të bënim me një sekret shtetëror në kohën kur personi e publikoi dhe ia dha dikujt tjetër informacionin. Ky informacion u klasifikua si sekret shtetëror, pasi u përcaktua se publikimi i tij shkaktoi dëm."
Gjatë viteve, prokurorët kanë vënë në shënjestër gazetarë, si Shi Tao, i cili i dha një faqeje elektronike jashtë vendit hollësitë e një takimi redaksional. Ose akademikët si Xu Zerong, i cili në vitin 1992 u akuzua për kopjimin e dokumentave ushtarake nga lufta e Koresë.
Sekret shtetror mund të jetë numri i ekzekutimeve të kryera nga qeveria, apo informacioni rreth mosmarrëveshjeve të punës dhe tokës, ose, siç u shpreh vitin e kaluar ministria kineze e mjedisit, rezultatet e një ankete rreth ndotjes së tokës. Edhe të dhënat ekonomike mund të jenë të rrezikshme.

Në bazë të rregullave të reja, agjencive qeveritare u kërkohet ta bëjnë të qartë se çfarë informacioni nën autoritetin e tyre kualifikohet si sekret shtetëror.
Mbetet e paqartë se kur do t’i marrin zyrtarët këto vendime, por eksperti ligjor për Kinën, Stanley Lubman thotë se meqë administrata e Xi Jinping-ut po thekson reformat ligjore, kjo mund të bëhet brenda këtij viti.

"Autoritetet kineze janë të ndërgjegjshme rreth nevojës për të zbatuar ligjin. Por është e pamundur të thuhet se sa seriozë janë ata në këtë drejtim. Mund të them se tani po bëhet më shumë presion ndaj qarqeve burokratike, që të mos zbatohet ligji plotësisht dhe të shkelen disa parime të caktuara."

Edhe pas marrjes së masave për të përmirësuar trasnparencën dhe parashikueshmërinë e ligjit mbi sekretet shtetrore, analistët thonë se autoritetet janë mbështetur për një kohë të gjatë tek gjuha e paqartë për të nxitur censurën. Eksperti Lubman thotë se kjo ka bërë që autoritetet ta vlerësojnë ligjin e sekreteve si një mjet të rëndësishëm për të ruajtur stabilitetin në vend, sepse ai u jep atyre fleksibilitet të madh për ndjekjen penale të personave të akuzuar për shkelje.

Analistët thonë se mesazhi në përgjithësi është se, ndërsa qeveria kineze po bën një përpjekje publike për t’u dukur si më transparente, ligji për sekretet shtetërore do të vazhdojë të jetë një mjet i rëndësishëm për të nxitur censurën dhe të për mbytur zërat e opozitës.
XS
SM
MD
LG