Lidhje

Vazhdojnë përpjekjet e kërkimit në Sishuan të Kinës


Ekipet e shpëtimit në Kinë po përpiqen të nxjerrin trupat e mbuluar nga balta gjatë rrëshqitjes së dheut në provincën jugperëndimore Sishuan.

Zyrtarët thonë se 93 vetë ende figurojnë të zhdukur pas katastrofës natyrore që ndodhi dje në fshatin malor Xinmo.

Një çift me foshnjën e tyre u nxorën gjallë menjëherë pas rrëshqitjes që solli një masë shkëmbinjsh, balte dhe mbetjesh mbi fshat, duke mbuluar të paktën 40 shtëpi. Pas nxjerrjes së tre personave nuk janë gjetur njerëz të tjerë gjallë deri tani. Ekipet e specializuara kanë nxjerrë trupat e 15 viktimave.

Në zonë po punojnë mbi 3 mijë vetë, ndër të cilët policë, ushtarë e civilë në përpjekje për të kërkuar mes shkatërrimit. Njësi të specializuara me qen me erë po përdoren për të identifikuar vendndodhjen e trupave nën rrënoja.

Rrëshqitja e dheut, katastrofa më e rëndë natyrore që nga tërmeti shkatërrimtar i 2008-s në Sishuan që la mbi 87 mijë të vdekur, ka bllokuar rrjetën e lumit të zonës dhe të një segmenti rrugor prej 1.6 km.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG