Lidhje

Kitarat PRS, ndër më të shiturat në tregun amerikan


Kitarat PRS, ndër më të shiturat në tregun amerikan
Kitarat PRS, ndër më të shiturat në tregun amerikan

Në fillimin e viteve 1980, një prodhues kitarash i quajtur Pol Rid Smith u përpoq t’ua shiste instrumentet e tij artistëve të mëdhenj. Tani, më shumë se 25 vjet më vonë, kitarat e Smithit konsiderohen si disa nga veglat më të mira muzikore të prodhuara ndonjëherë. Smith thotë se kompania e tij përpiqet të krijojë instrumente të përsosur.

Artisti latin Karlos Santana, dhe muzikanti i xhezit Al Di Meola luajnë dy lloje të ndryshme muzike. Por të dy ata kanë një lidhje të përbashkët: me Pol Rid Smith.

“Fillova të prodhoj kitarra në një dyqan punimesh druri kur isha në shkollë të mesme, në dhomën e gjumit të vëllait dhe timen. Mjetet e punës i merrja me qera”.

Por tani, kitarrat e Pol Rid Smithit prodhohen në një fabrikë moderne në bregdetin lindor të Merilendit.

“Ne shesim shumë prej tyre dhe biznesi ecën shumë mirë”.

260 punëtorët e kompanisë kanë prodhuar një mijë e 300 kitarra në Shtetet e Bashkuara. Rreth 25 mijë kitarra të tjera janë prodhuar në Korenë e Jugut, për një linjë më pak të shtrenjtë. PRS fitoi 40 milionë dollarë nga shitjet vitin e kaluar.

Që nga themelimi në vitin 1985, kompania i ka bërë vend vetes në një treg ku ka konkurencë. Por kur flet për filozofinë e tij të biznesit, Smith thotë se ai thjesht përpiqet të prodhojë kitarrat më të mira.

“Na kanë pyetur se pse kitarrat tona janë ndryshe dhe kam arritur në përfundimin, se cilësia varet sa vëmendje u kushton detajeve”.

Këto detaje janë më të dukshme në linjat private që bëhen me porosi, të cilat konsiderohen si gjysma art dhe gjysma instrument. Presidenti i PRS Xhek Higinbotam thotë se prodhimi i një kitarre të mirë fillon me drurin. PRS blen drurë ekzotikë nga e gjithë bota dhe kitarrat e tyre njihen për sipërfaqet e veçanta.

“Ky është shembull i një kitarre me porosi. Ne përpiqemi ta bëjmë sa më të bukur nga pamja e jashtme dhe me një tingull sa më të mirë”.

Higinbotham thotë se procesi i prodhimit është po aq i rëndësishëm. Druri thahet ngadalë në një dhomë të veçantë. Kitarave u jepet forma në makineri të komjuterizuara. Të gjitha pjesët lëmohen me zumpara, lyhen dhe pastaj u hidhet një shtresë llak. Perdet, apo ndarjet në bishtin e kitarës bëhen me dorë. Një kitarë do rreth gjashtë javë për t’u prodhuar. Smith thotë se kompania e tij përpiqet të krijojë instrumente perfekte.

“Puna jonë është t’i bëjmë kitarrat sa më të mira që të jetë e mundur. Pastaj, kur arrijnë në një pikë që nuk duam t’i prekim më, përsërisim të njëjtin proces”.

Vëmendja për detajet nuk ka humbur tek muzikantët. Brajën Midër shet kitarra në Qendrën Muzikore të Uashingtonit Çak Levins, një nga dyqanet e para që filluan të shesin produktet e kompanisë PRS.

Midër thotë se kur bëhet fjalë për cilësinë e prodhimit në masë të kitarrave, PRS nuk ka të dytë. Çmimi i kitarrave të prodhuara nga PRS është nga 600 deri në dhjetra mijëra dollarë.

XS
SM
MD
LG