Lidhje

Klein: Do të shkojmë përtej sanksioneve në përgjigjen ndaj sulmit kibernetik


(FILES) In this file photo taken on March 10, 2020 Ron Klain

Shefi i ardhshëm i kabinetit të Shtëpisë së Bardhë tha të dielën se përgjigja e Presidentit të zgjedhur Joe Biden ndaj fushatës masive të piraterisë kibernetike të zbuluar javën e kaluar do të shkojë përtej sanksioneve.

Ron Klain tha se zoti Biden po planifikon mënyrat për t’iu kundërpërgjigjur hakerave të dyshuar rusë të cilët kanë depërtuar sistemet kompjuterike në gjashtë agjenci qeveritare të SHBA dhe kanë lënë të ekspozuara mijëra kompani amerikane.

"Nuk do të ketë vetëm sanksione. Do të ketë masa dhe gjëra të tjera që mund të bëjmë për të degraduar aftësinë e aktorëve të huaj për t'u përfshirë në këto sulme," tha zoti Klain në programin "Face the Nation" të televizionit CBS.

Mundësitë që po shqyrton administrata e ardhshme Biden për të ndëshkuar Moskën për rolin e saj të dyshuar në këto sulme kibernetike përfshijnë gjoba financiare dhe veprime të tjera ndaj infrastrukturës ruse, thanë për Reuters persona me dijeni për këtë çështje.

Kremlini ka mohuar çdo rol në këtë akt piraterie kibernetike.

Zoti Biden, i cili bëhet president në 20 janar, ka të ngjarë të sigurojë mbështetje dypalëshe për një reagim të fuqishëm ndaj fushatës së spiunazhit, lanë të kuprohej dy senatorë të dielën.

Senatori republikan Mitt Romney tha për rrjetin NBC se hyrja në të dhënat e agjencive amerikane ka shkaktuar dëme të jashtëzakonshme.

"Kjo kërkon një kundërpërgjigje," tha ai. "Kjo është diçka që duhet ta trajtojmë sa më shpejt të jetë e mundur."

Senatori demokrat Mark Warner, numri 2 në Komisionin e Zbulimit të Senatit, tha në televizionin ABC se sulmi mund të ishte ende duke vazhduar dhe se zyrtarët akoma nuk i dinë përmasat e tij të plota. Por ai nuk shkoi aq larg sa senatori Romney, i cili e quajti sulmin "një invazion".

"Kjo është në zonën gri midis spiunazhit dhe një sulmi," tha senatori Warner. Ai e mbështeti thirrjen e senatorit Romney për kundërpërgjigje, duke thënë se Uashingtoni duhej t'ua bënte të qartë kundërshtarëve "se nëse ndërmerrni këto lloj veprimesh ne dhe të tjerët do të reagojmë".

Zyrtarët dhe profesionistët e sigurisë kibernetike në të gjithë Shtetet e Bashkuara janë ende duke u përpjekur të përcaktojnë përmasat e sulmit piraterik, në të cilin u përdor kompania amerikane e teknologjisë SolarWinds si trampolinë për të infektuar klientët e saj duke përfshirë Departamentet e Thesarit, të Tregtisë dhe të Energjisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG