Lidhje

Kirurgët identifikojnë një ligament të ri brenda gjurit


Dy kirurgë belgë kanë përshkruar një ligament të paidentifikuar më parë brenda gjurit të njeriut, që ata thonë se luan rol në rimëkëmbjen e pacientëve me dëmtim të tendinës, që u ndodh përgjithësisht atletëve. Mjekët thonë se zbulimi mund të revolucionarizojë kurimin dhe të sjellë rezultate më të mira për pacientët.
Në studimin e tyre të botuar në Revistën e Anatomisë, specialistët e gjurit Steven Claes dhe Johan Bellemans të Universitetit Leuven kanë ndërtuar një hartë të shiritit fibroz që lidh pjesën e jashtme të kockës së legenit, femurit me kockën e ulët, tibia, dhe e kanë quajtur ligamenti anterolateral (ALL).
Ata sugjerojnë se ky zbulim mund të jetë kyçi i trajtimit të një prej dëmtimeve më të zakonshme në sport, tërheqjes së Tendinës së Përparme të Gjurit, të njohur si ACL që haset veçanërisht tek futbollistët.
ACL është një nga fijet muskulore kryesore përreth kupës së gjurit, që ndodhet në qendër dhe lidh pjesën e sipërme dhe të poshtme të këmbës duke i dhënë asaj qëndrueshmëri.
Dëmtimi i ACL-së ndodh kur dikush ndryshon drejtim ose ndalon në mënyrë të menjëherëshme. Qoftë e lehtë apo e rëndë, një tendosje apo këputje mund të shkaktojë paqëndrueshmëri dhe dëmtime të mëtejshme në muskuj të tjerë.
Profesor Bellemans, që ishte udhëheqësi i dr. Claesit në këtë studim, thotë se ata donin të kuptonin se pse disa nga pacientët vazhdojnë të vuajnë, pasi rimëkëmben, nga dëmtime të shpeshta të gjurit gjatë stërvitjes.
“Kur dikush këput tendinën dhe bën operacion, ne e dimë që 10-20 për qind e pacientëve do të vazhdojë të ketë një farë mungese ekuilibri. Kjo nuk është e logjikshme sepse ne e rregulluam dëmtimin, prandaj ne kishim krijuar bindjen që duhet të kishte një strukturë tjetër të dëmtuar por që nuk e kishim shëruar dot me operacionin”.
Dr. Claes thotë se pasi kishte studiuar gjunjët e 41 kufomave gjatë katër viteve, mjekët arritën në përfundimin se në shumicën e rasteve, ata që kishin dëmtuar ACL-në, e kishin të dëmtuar edhe ligamentin tjetër.
“Tendina e njeriut ndodhet në thellësi të gjurit por ligamenti që ne studiuam kalon në anë të gjurit, dhe ndërsa ACL-ja kontrollon luhatjen e gjurit nga para prapa, ky ligament kontrollon rrotullimin e gjurit. Prandaj, nëse trajton vetëm një nga dëmtimet, një farë paqendrueshmërie do të vazhdojë sidomos në lëvizjen rrotulluese të gjurit”.
Ai shton se megjithë teknikat e avancuara kirurgjike, pothuajse gjysmës së atletëve nuk u rikthehet plotësisht aftësia sportive si përpara dëmtimit.
Në gjithë botën studimi ka ngjallur reagime pozitive, por edhe kritika të ashpra.
Kirurgu Marc Martens i akredituar nga FIFA dhe që ka operuar shumë lojtarë futbolli me dëmtime tendine është disi mosbesues. Ai thotë se ky nuk është ndonjë zbulim i madh në mjekësinë sportive, meqenëse tërheqja e kësaj fijeje muskulare prek shumë me tepër struktura.
Por ai e vlerëson dr. Claesin pasi e ka drejtuar vëmendjen tek ky problem që ai thotë se është lënë mënjanë nga shumë kirurgë.
“Ka rëndësi sepse sot kemi shumë raste me dëmtime të ACL-së dhe një nga faktorët që duhen konsideruar për të kuptuar se pse ka kaq shumë dështime në operacione për riparimin e muskulit, është pa dyshim e lidhur me me faktin se është harruar elementi i stabilizimit të rrotullimit të gjurit”.
Kirurgët belgë kanë filluar ndërkohë të ofrojnë riparime të ligamentit që ata kanë studiuar.
XS
SM
MD
LG