Lidhje

Vëzhguesit vendorë kritikojnë fushatën e hershme


Përfaqësuesi i Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë, Premto Gogo, thotë se nisja e hershme e fushatës është shkelje ligjore.

Vëzhguesit vendorë të zgjedhjeve shqiptare shprehën sot shqetësimin e tyre për fillimin mjaft herët të fushatës zgjedhore, gjë që, sipas tyre, po sjell keqfunksionimin e administratës dhe keqpërdorimin e fondeve dhe mjeteve shtetërore.

Koalicioni i vëzhguesve vendorë, një bashkim organizatash joqeveritare, që parashikojnë të kenë të paktën një mijë vëzhgues në zgjedhjet e 23 qershorit, u bëri thirrje partive kryesore që të pakësojnë veprimtaritë fushateske, kohë që duhet t’ua kushtojnë qytetarëve me shërbime komunitare, si në pushtetin qendror ashtu edhe në atë vendor.

Përfaqësuesi i Koalicionit të Vëzhguesve vendorë, Premto Gogo, thotë se nisja e hershme e fushatës është shkelje ligjore, edhe pse Kodi Zgjedhor i hartuar nga partitë e mëdha parashikon rregulla vetëm për fushatën 30 ditore para zgjedhjeve. Kush bën 6 muaj fushatë lë pa kryer detyrat shtetërore dhe përdor mjetet e shtetit për udhëtime partiake, tha ai, ndërkohë që ekonomia dhe rendi publik janë duke u përkeqësuar.

Ndërsa drejtuesja e Shoqatës për Kulturë Demokratike, Gerta Meta, thotë se në një pjesë të njësive vendore janë shkelur afatet ligjore të ekspozimit të listave të votuesve dhe në një pjesë tjetër të madhe votuesit nuk janë njoftuar me shkrim për qendrën e votimit, ndërkohë që janë vërejtur lëvizje të konsiderueshme të popullatës nga zona të ndryshme.

Koalicioni i vëzhguesve vendorë shprehu shqetësim edhe për një kontroll më të madh që duhet të ushtrojë KQZ në përmbushjen e kërkesave ligjore në parapërgatitjen e zgjedhjeve me mirëkuptim shumëpartiak mes palëve. Ata pohuan se KQZ e zgjodhi kryetaren me seanca dëgjimore nga konkurrimet e pavarura, por megjithatë partitë ruajtën kontrollin mbi të duke futur antarët e tjerë sipas raporteve partiake, po ashtu edhe në komisionet zonale.

Koalicioni i vëzhguesve vendorë shprehu skepticizmin e vet edhe për eksperimentin që po bëhet për numërimin elektronik të votave në Fier, me idenë që të zbatohet në zgjedhjet e ardhshme në të gjithë vendin. Procedurat e eksperimentit elektronik po zvarriten, megjithë janë shumë të kushtueshme, pohuan ata, duke theksuar ndërkohë që mosbesimi midis partive konkurrente është aq i madh sa ata nuk u besojnë as numërimit me dorë nga militantët e vet komisionerë. Aq i madh është mosbesimi, pohojnë ata, sa nuk mund ta shuajë asnjë numërim votash me kompjuter, nëse nuk do të ekzistojë vullneti i mirë i palëe për të mbajtur zgjedhje të rregullta.
XS
SM
MD
LG