Lidhje

Kokteje në fluturim


Disa kompani ajrore në Shtetet e Bashkuara ofrojnë tani kokteje për të gjithë udhëtarët, në përpjekje për të shtuar luksin në aeroplanë dhe për të ndihmuar në largimin e stresit të fluturimit. Menutë e reja përfshijnë porosi koktejesh, birra artizanale si dhe lista elegante verash.

Kryetarja e ekuipazhit të fluturimit Ashley Nichelman po përgatit një koktej për një pasagjer.

Virgin America është vetëm një nga kompanitë ajrore që ofron kokteje me porosi, zgjedhje birrash cilësore dhe lista verash për të gjithë pasagjerët në bordin e aeroplanëve.

Ashley Nichelman thotë se ata shpresojnë të sjellin pak elegancë gjatë fluturimit.

"Ne përpiqemi të krijojmë ndjesinë e një dite të bukur fluturimi dhe i ofrojmë këto pije për të bërë që pasagjerët të ndihen të veçantë dhe ta shohin udhëtimin si një ngjarje më vete dhe jo vetëm si një mënyrë për të shkuar në destinacion. Pra është mirë nëse mund të argëtohesh gjatë rrugës."

Kjo është pjesërisht një përgjigje ndaj faktit se fluturimi nuk është më si më parë. Rradhët e gjata, rregullat e sigurisë që ndryshojnë shpesh si dhe debatet për hapësirën në raftet e valixheve në bord e kanë bërë udhëtimin shumë më stresues. Prandaj, nuk është e çuditshme nëse pasagjerët kërkojnë pak argëtim.

Pijet që reklamohen në faqet e fundit të revistave të disa linjave ajrore ose në ekranet interaktivë prapa ndenjëseve, kanë filluar t’u ngjajnë atyre që shërbehen në lokalet më të mira.

Ashley Nichelman thotë se kompania e tyre kanë një listë koktejesh që ndryshon shpesh.

"Një nga koktejet që po ofrojmë këto kohë është Cosmopolitan. Ai është frymëzuar nga Hoteli Cosmopolitan në Las Vegas. Ai që kemi sot në bord përmban mollë me vodka Absolut si dhe pak limon të shtrydhur. Është koktej shumë i preferuar në shumë prej fluturimeve tona."

Kompania furnizuese e linjave ajrore amerikane GuestLogix, e cila përpunon rreth 90 për qind të transaksioneve të kartave të kreditit në bordet e aeroplanëve për Amerikën e Veriut, thotë se ditët e javës dhe koha gjatë ditës në të cilën njerëzit fluturojnë është një faktor i rëndësishëm në sasinë e pijeve të konsumuara. Sipas të dhënave të tyre njerëzit pijnë më shumë të enjteve dhe më pak të hënave. Për shumë konsulentë, tregtarë si dhe pasagjerë të tjerë të shpeshtë, e enjtja shihet si dita e fundit e javës që atyre u duhet të jenë larg familjes.

Vendmbërritja është një tjetër faktor që ndikon, thotë Ashley Nichelman.

"Vërehen prirje të ndryshme në varësi të vendit ku shkohet. Sidomos gjatë fluturimeve tona për në Las Vegas për shembull, njerëzit kanë prirje të porosisin më tepër kokteje, sepse ata që shkojnë në Las Vegas zakonisht duan të argëtohen atje, ndoshta të luajnë bixhoz apo të dalin për të shijuar pije të tjera kur janë atje."

Analisti i industrisë së udhëtimit Henri Harteveldt thotë se kompanitë ajrore po bëjnë çdo gjë të mundur që njerëzit të shijojnë sa më shumë udhëtimet e tyre.

"Kompanitë e fluturimeve po përpiqen vërtetë shumë që të mundësojnë udhëtime të mira dhe argëtuese për pasagjerët e tyre. Dhe unë mendoj se ajo që ata po marrin në konsideratë është fakti që në qoftë se pasagjerët janë në moshë të rritur për pije alkoolike dhe dëshirojnë një koktej, një ose dy gota verë, apo një gotë birrë të mirë, atëherë pse jo. Kjo është diçka e mirë për secilën palë."

Zoti Harteveldt thotë se kompanitë ajrore amerikane shpresojnë që me koktejet të sjellin të njëjtën atmosferë të lokaleve edhe në 10 mijë metra lartësi.
XS
SM
MD
LG