Lidhje

SHBA: Roli i Kolegjit Zgjedhor


Ndërsa miliona amerikane hedhin votën në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, votat e tyre nuk i sigurojnë drejtëpërdrejtë fitoren kandidatit, që përfundon në Shtëpinë e Bardhë. Në vazhdim sjellim hollësi rreth procesit që zgjedh presidentin amerikan, që zhvillohet në fakt nga një grup njerëzish, i njohur si "Kolegji Zgjedhor".

Amerikanët votojnë për presidentin e ardhshëm më 6 nëntor, por zgjedhjet e vërteta presidenciale zhvillohen më 17 dhjetor dhe vetëm 538 veta marrin pjesë në këtë proces. Ky grup i vogël quhet Kolegji Zgjedhor.

Kur kushtetuta amerikane u hartua në vitin 1787, asnjë vend evropian nuk e zgjidhte drejtpërdrejtë kryetarin e shtetit. Prandaj autorët e kushtetutës krijuan një sistem me dy hapa, popullata voton dhe votat e saj i kalohen një grupi të vogël njerzish, Kolegjit Zgjedhor, i cili takohet shtet më shtet rreth një muaj pas votimit popullor, për të zgjedhur në fakt presidentin.

Profesori i Universitetit Amerikan, Curtis Gans:

“Anëtarët e Kolegjit Zgjedhor në numër janë të barabartë me delegatët e çdo shteti në Kongresin amerikan dhe ata ia japin votën e tyre kandidatit që fiton shumicën e votave popullore në secilin shtet”.

Me përjashtim të dy shteteve, Nebraska dhe Mein, ku votat e Kolegjit Zgjedhor ndahen në mënyrë proporcionale në bazë të votës popullore në secilin distrikt elektoral. Ekzistojnë gjithashtu edhe 3 anëtarë të tjerë të Kolegjit, që përfaqësojnë territore jo-shtete si për shembull Distrikti i Kolumbias. Gjithsejt kolegji ka 538 anëtarë.
Një shumicë e thjeshtë prej 270 votash të Kolegjit Zgjedhor sigurojnë zgjedhjen e presidentit. Por nëse asnjë kandidat presidencial nuk e siguron këtë numër, në bazë të Kushtetutës Dhoma e Përfaqësuesve zgjedh presidentin e ardhshëm, diçka që nuk ka ndodhur në historinë amerikane mbi 200 vjeçare.

Dhe ndërsa në shumicën e zgjedhjeve presidenciale njëri prej kandidatëve fiton si shumicën e votave popullore ashtu edhe atë të Kolegjit Zgjedhor, një përjashtim ndodhi në zgjedhjet e vitit 2000.

Demokrati Al Gore fitoi votën popullore me 500 mijë vota më shumë se rivali i tij republikan, George W. Bush, ndërkohë që fitoi edhe 266 vota të Kolegjit Elektoral, por zoti Bush fitoi me një ndryshim fare të vogël në Florida.

Zoti Gore kërkoi rinumërimin e votave në atë shtet, gjë që zoti Bush e kontestoi deri në Gjykatën e Lartë. Pas më shumë se një muaj nga dita e zgjedhjeve, Gjykata e Lartë mbështeti George Bushin, duke i dhënë atij votat e Kolegjit Zgjedhor të Floridës e si rezultat edhe Shtëpinë e Bardhë.

Të dyja partitë janë aq të mbërthyera në kalkulimin dhe mbështetjen e sistemit të tanishëm të Kolegjit Zgjedhor sa që profesori Dennis Johnson në Universitetin George Mason thotë se nuk pret ndonjë ndryshim.

“Partitë shqyrtojnë strategjinë si dhe hartën e sistemit dhe në fund të fundit mbështesin sistemin aktual, në të cilën fituesi siguron të gjitha votat e Kolegjit Zgjedhor”.

Profesor Johnson thotë se mbizotërimi i mbështetjes për demokratët në zonat urbane do të thotë se republikanët, të cilët gëzojnë mbështetje më të madhe në zonat rurale më pak të populluara, nuk janë të prirur të mbështesin ndryshimin e sistemit elektoral të bazuar vetëm në votat popullore.
XS
SM
MD
LG