Lidhje

Kolorado ndihmon qytetin që të heqë dorë nga qymyrguri


Në të gjithë botën po realizohet një tranzicion në fushën e prodhimit të energjisë. Shqetësimet rreth ndryshimit të klimës po ndihmojnë sektorin e energjisë së ripërtëritshme, duke forcuar prodhimin e energjisë diellore si dhe nga era, duke depërtuar madje edhe në zonat dikur të dominuara nga qymyrguri. Por, këto ndryshime kanë trazuar komunitetet që mbështeten tek qymyrguri si shtylla kurrizore e ekonomisë. Shteti i Kolorados po ndërmerr hapat për të zbutur goditjen që kanë ndjerë komunitetet e ndikuara nga tranzicioni energjetik. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Steve Baragona vizitoi qytetin e Kreigut për të mësuar më shumë mbi këtë nismë.

Termocentrali me qymyrguri në Kreig punëson rreth 300 njerëz, një numër i konsiderueshëm për këtë qytet prej 9 mijë banorësh në shtetin e Kolorados.

Matt Kincheloe punon si elektriçist në termocentral. Një ligj i ri që synon të reduktojë sasinë e gazeve ndotëse në atmosferë ka sinjalizuar probleme për këtë objekt prodhimi.

"Nëse këtu nuk do të ketë termocentral në të ardhmen, nuk e di se çfarë do të bëj për të jetuar, për të mbështetur familjen dhe jetesën që kemi këtu. Nuk e di se çfarë do të ndodhte me komunitetin tim. Qyteti im i vogël këtu në Kreig të Kolorados është në rrezik", thotë zoti Kincheloe.

Në Denver, kryeqyteti i Kolorados, K.C. Becker është kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve. Ajo thotë se i gjithë shteti rrezikohet nga rritja e temperaturave, thatësirat dhe zjarret.

"Unë mendoj se nëse nuk merremi me ndryshimin e klimës, do ta shkatërrojmë ekonominë. Kam folur edhe më parë për rëndësinë e borës që akumulohet gjatë stinës së dimrit. Kjo shtresë është shumë e rëndësishme për pistat e skiimit. Por kemi edhe problemin e rënies së nivelit të ujit, që ka rëndësi kritike për ekonominë tonë bujqësore. Dhe kostoja e reagimeve ndaj fatkeqësive natyrore po ndikon shumë mbi buxhetin e këtij shteti", thotë zonja Becker.

Kolorado synon që deri në vitin 2050-të pakësojë në masën 90% sasinë e gazeve që shkaktojnë efektin serrë bazuar në një ligj, i cili u miratua këtë vit me ndihmën e zonjës Becker.

Ajo i ka parasysh pasojat që ligji do të ketë mbi qytete si Kreigu.

"E dimë që do të ketë mbyllje të termocentraleve që punojnë me qymyrguri. E kemi të qartë se kjo po ndodh. Le të mendojmë në mënyrë më të qartë dhe të bëjmë përgatitje paraprake për ato komunitete. A nënkupton kjo zhvendosje të punëtorëve? A do të çojë kjo në mbylljen e qendrave tregtare në qytet? Si do ta tejkalojmë këtë situatë?", pyet ajo.

Për këtë arsye, zonja Becker propozoi miratimin e një ligji tjetër. Bazuar në këtë ligj, do të krijohet zyra e parë qeveritare në vend e përkushtuar ndaj zbutjes së tranzicionit në komunitetet e varura nga industria e qymyrgurit.

Rich Meisinger është menaxher biznesi në sindikatën e punëtorëve elektrikë IBEW. Ai thotë se sindikatat kundërshtuan projekligjin për klimën. Por ata e mbështetën këtë ligj sepse ai synon të ndihmojë me forma të tjera si trajnimin e punëtorëve për sektorë të tjerë dhe ndihma me të ardhura për punëtorët në tranzicion.

"Anëtarët tanë nuk duan lëmoshë. Por unë shpresoj se kjo do të shërbejë si një urë drejt mundësive të tjera", thotë zoti Meisinger.

Matt Kincheloe shqetësohet se nuk janë sqaruar ende shumë detaje.

"Mendoj se duket ide e mirë. Por, nuk është folur për fondet. Ku do t'i marrim paratë për këtë? A do të më duhet të lëviz nga ky qytet? A duhet të mësoj një zanat tjetër? Për çfarë lloje trajnimesh bëhet fjalë?", thotë zoti Kincheloe.

Ka kohë për t’i sqaruara këto gjëra. Termocentrali nuk ka plane të menjëhershme për t'u mbyllur. Por ndryshimi po vjen dhe zoti Meisinger thotë se sindikata nuk do të luftojë më për ta mbajtur të hapur.

"Bazuar në atë që di, nuk është e mundur ta fitojmë këtë betejë. Dua të gjej një betejë që mund ta fitojmë, e cila i ndihmon anëtarët tanë", thotë ai.

Ndërsa bota heq dorë nga qymyrguri, Kolorado shpreson të jetë një shembull për shtete të tjera që po përpiqen të ndihmojnë komunitetet e ndikuara nga ky tranzicion.

XS
SM
MD
LG