Lidhje

Komandanti i lartë amerikan në Afganistan: Ka nisur zbatimi i hapave për fundin e misionit ushtarak


Gjenerali Scott Miller

Komandanti i forcave të huaja në Afganistan, Gjenerali i ushtrisë amerikane Scott Miller, tha të dielën se ka filluar tërheqja sipas radhës e forcave të huaja dhe dorëzimi i bazave dhe pajisjeve ushtarake tek forcat afgane.

Zoti Miller tha se ai po vepronte me urdhra të bazuar në vendimin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara Joe Biden për t’i dhënë fund luftës më të gjatë të Amerikës, duke e cilësuar betejën e zgjatur dhe pa një zgjidhje në Afganistan si diçka që nuk përputhet më me përparësitë amerikane.

Më herët gjatë muajit, Presidenti Biden tha se ai do të tërhiqte trupat nga Afganistani para 11 shtatorit, 20 vjetori i sulmeve terroriste ndaj Qendrës Botërore të Tregtisë dhe Pentagonit që ishte shkaktari i luftës afgane.

Zoti Miller, i cili ka komanduar forcat amerikane dhe misionin e mbështetjes së NATO-s në Afganistan në luftën e tyre kundër talebanëve dhe grupeve tjera militante islamike që nga viti 2018, tha se forcat e huaja do të vazhdojnë të kenë “mjetet ushtarake dhe aftësinë për të mbrojtur veten gjatë tërheqjes dhe kanë kapacitetet e mbështetjes për forcat afgane të sigurisë“.

“Kisha mundësi të flas me anëtarët e Komisionit Politik Taleban dhe u kam thënë atyre se rikthimi i dhunës, përpjekjet që nxisin veprime ushtarake, do të ishin një tragjedi për Afganistanin dhe popullin afgan”, tha zoti Miller para gazetarëve në kryeqytetin Kabul.

Talebanët sunduan Afganistanin nga viti 1996 në 2001, kur forcat e tyre u larguan nga pushteti nga forcat e drejtuara nga Shtetet e Bashkuara. Që nga ajo kohë ata kanë zhvilluar kryengritje afatgjatë dhe tani kontrollojnë një pjesë të gjerë territoresh.

Ekspertët e sigurisë thanë javëve të fundit se kanë dyshime nëse talebanët do të lejojnë forcat amerikane, të cilat ata i quajnë pushtues, të largohen paqësisht nga vendi në një kohë kur ende nuk janë ndezur përplasjet mes forcave afgane dhe talebanëve.

Tërheqja e forcave të huaja është planifikuar të fillojë në 1 maj, në përputhje me një marrëveshje me talebanët të arritur në vitin 2020.

“Ndërsa numri i ushtarëve amerikanë arrin në zero, ne do t’ia dorëzojmë bazat ushtarake Ministrisë së Mbrojtjes dhe forcave tjera afgane”, tha zoti Miller, duke shtuar se talebanët janë zotuar të ndërpresin marrëdhëniet e tyre me grupin ekstremist islamik Al-Kaida.

Streha që qeveria talebane i ofroi Al-Kaidës ishte arsyeja kryesore e e ndërhyrjes amerikane në Afganistan, pas sulmeve të shtatorit më 2001.

Një raport i Kombeve të Bashkuara në janar tha se kishte rreth 500 luftëtarë të Al-Kaidës në Afganistan dhe se talebanët mbajnë marrëdhënie të afërta me ta. Talebanët mohojnë ekzistencën e Al-Kaidës në Afganistan.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG