Lidhje

Komentojnë ekspertët: Tërheqje nga Afganistani para Krishtlindjes?


FILE - U.S. troops patrol at an Afghan National Army (ANA) Base in Logar province, Afghanistan, Aug. 7, 2018.
FILE - U.S. troops patrol at an Afghan National Army (ANA) Base in Logar province, Afghanistan, Aug. 7, 2018.

Pas komentit në Twitter të Presidentit Donald Trump se të gjitha forcat e SHBA duhet të kthehen në atdhe nga Afganistani para fundit të vitit, zyrtarët e mbrojtjes të ngarkuar me ekzekutimin e tërheqjes, kanë heshtur.

Afati i ri i Presidentit Trump ishte shumë më herët sesa ai i paraqitur nga administrata e tij pak orë më parë dhe ekspertët ushtarakë kanë ngritur shqetësime për pasojat e një lëvizjeje të tillë.

SHBA, tërheqje nga Afganistani para Krishtlindjes?
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:33 0:00

Sekretari i Mbrojtjes Mark Esper nuk pranoi të enjten asnjë pyetje nga gazetarët. Pentagoni u tha atyre t’i drejtoheshin për pyetje Shtëpisë së Bardhë pas komentit të Presidentit Trump për Afganistanin, i cili tronditi Departamentin e Mbrojtjes.

Disa orë pasi këshilltari i sigurimit kombëtar i zotit Trump tha se deri në fillim të vitit 2021, SHBA do të ulnin numrin e trupave në Afganistan nga rreth 5,000 në 2,500, presidenti shkroi në Twitter:

"Numri i vogël i mbetur i burrave dhe grave tona trime që shërbejnë në Afganistan duhet të jenë në shtëpi deri në Krishtlindje!"

Një zyrtar ushtarak, duke folur në kushte anonimiteti, i tha Zërit të Amerikës lidhur me komentin e presidentit, se ishte hera e parë që ai dëgjonte për një tëheqje nga Afganistani para fundit të vitit. Ekspertë ushtarakë si Bradley Bowman i Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive, e quajtën politikë e gabuar:

“Pse u dashka të tërheqim dy, tre, katër mijë forca nga një vend i botës ku ka më shumë grupe dhe organizata terroriste se në çdo vend tjetër? Kjo është politikë e gabuar, e koordinuar dobët, e zbatuar dobët, dhe është mjaft e qartë pse presidenti po e bën këtë. E bën këtë për qëllime politike para zgjedhjeve," thotë Bradley Bowman i Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive.

Rajoni mes Afganistanit dhe Pakistanit është strehë e të paktën 20 grupeve terroriste, më shumë se kudo tjetër në botë, sipas qeverisë amerikane. Ndërkaq, qeveria afgane vazhdon të luftojë atje kundër kryengritjes talebane.

Për Presidentin Trump, tërheqja nga Afganistani para Krishtlindjes do të përmbushte një premtim fushate.

"Ne do të godasim terroristët që kërcënojnë qytetarët tanë dhe do ta mbajmë Amerikën larg këtyre luftërave qesharake, idiote, të pafund jashtë vendit," thotë Presidenti Trump.

Talebanët thanë të enjten se e shohin komentin e Presidentit Trump si "një hap pozitiv". Shumë amerikanë kanë thënë se duan që të gjitha trupat të kthehen nga Afganistani. Një studim i Fondacionit Grupi i Eurasisë, zbulon se shumica e amerikanëve nga të dy partitë politike mbështesin bisedimet e paqes brenda Afganistanit të përkrahura nga administrata e Presidentit Trump.

“Nuk mendoj se mund të tërhiqemi nga Afganistani tani për tani. Kjo do ta fuste vendin në një luftë civile shumë më të ashpër. Vendi do të rrezikohej nga më shumë trazira, paqëndrueshmëri, do të ishte më i përshtatshëm për al-Kaidën ose ISIS-in që të krijonte aty baza, të hidhte rrënjë dhe të planifikonte sulmet e ardhshme," thotë Michael O’Hanlon i Institutit Brookings.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s tha të enjten se aleanca ushtarake, e cila ka rreth 12,000 ushtarë në Afganistan, do të koordinojë përpjekjet dhe do të marrë vendime për nivelet e trupave bazuar te kushtet në terren.

“Ne vendosëm të shkojmë në Afganistan së bashku; vendimet për rregullimet e ardhshme do t’i marrim së bashku, dhe, kur të jetë koha e duhur, do të largohemi së bashku", thotë Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.

Ekspertët thonë se shpresojnë që përfundimisht të mbizotërojë qasja e bazuar mbi kushtet në terren, për të cilën bën thirrje zoti Stoltenberg dhe komandantët ushtarakë.

“Çdo komandant i përgjithshëm duhet të përqendrohet para së gjithash te siguria për amerikanët. Nëse bëjmë një tërheqje me afate nga Afganistani, kam frikë dhe fatkeqësisht parashikoj se do të na duhet të kthehemi më vonë me më shumë kosto dhe sakrifica," tha Bradley Bowman i Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG