Zyrtarët e kompanive farmaceutike thonë se po shpejtojnë shpërndarjen e vaksinave për COVID-19 në Shtetet e Bashkuara. Me fillimin e punës në më shumë fabrika, ata thonë se mund të prodhojnë mjaftueshëm vaksina deri në fund të korrikut për pothuajse të gjithë popullsinë e Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, vendet me të ardhura të ulëta kanë mbetur të fundit.
Në Shtetet e Bashkuara, radhët e gjata të pritjes për vaksinat e pakta kanë karakterizuar procesin e imunizimit. Por drejtuesit e kompanive farmaceutike i thanë Kongresit të martën se po shtojnë furnizimin me vaksina në mënyrë drastike.
"Jemi të vetëdijshëm për nevojën për të vaksinuar më shumë njerëz me më shumë shpejtësi dhe kemi punuar shumë për ta rritur ndjeshëm prodhimin", tha John Young, drejtues në kompaninë Pfizer.
Zoti Young tha se kompania ka rritur prodhimin dhe ka shtuar linjat e prodhimit.
"Si rezultat i këtyre përmirësimeve, ne presim ta rrisim numrin e dozave nga afërsisht 4 deri në 5 milionë në javë në fillim të shkurtit, në më shumë se 13 milionë në javë nga mesi i marsit", tha ai.
Presidenti i kompanisë Moderna, Stephen Hoge, i tha Kongresit se edhe kompania e tij ka rritur shumë prodhimin.
"Kemi dyfishuar prodhimin tonë mujor që nga fundi i vitit 2020 dhe po synojmë t'i dyfishojmë përsëri në më shumë se 40 milionë doza", tha ai.
Deri në fund të korrikut, të dyja kompanitë së bashku presin të prodhojnë 600 milionë doza, të mjaftueshme për të vaksinuar 300 milionë njerëz me të dyja dozat.
Një vaksinë e tretë mund të prodhohet së shpejti nga kompania Johnson & Johnson. Ajo do të jetë me vetëm një dozë dhe nuk do të duhet të mbahet në temperatura jashtëzakonisht të ftohta si vaksinat e tjera.
Kjo vaksinë është 85% efektive ndaj sëmundjes së rëndë - pak më pak se dy vaksinat e tjera, por gjithsesi shumë e mirë, thotë eksperti i vaksinave nga Universiteti Johns Hopkins, William Moss.
"Dhe nëse mund të merret me një dozë të vetme dhe të ruhet thjesht në temperatura frigoriferike, ky është një plus i madh për shumë vende", thotë William Moss, i Universitetit Johns Hopkins.
Administrata e Ushqimit dhe Barnave konfirmoi të mërkurën se vaksina Johnson & Johnson është e sigurt dhe e efektshme.
Megjithatë, shumë vende do të duhet të presin për vaksinat. Kompanitë mund të rrisin prodhimin, por vendet me të ardhura të larta kanë rezervuar pjesën më të madhe të vaksinave për këtë vit, thotë kreu i njësisë për shëndetin në Komitetin Ndërkombëtar të Shpëtimit, Mesfin Tessema.
"Edhe pse ky njoftim është një lajm i mirëpritur, do të ndjehet efekti mbase drejt fundit të vitit 2021 ose 2022, kur të ketë një volum domethënës të disponueshëm për vendet me të ardhura të ulëta", thotë zoti Tessema.
Kompania Pfizer shiti 40 milionë doza këtë vit për strukturën e mbështetur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë COVAX për vendet me të ardhura të ulëta. Johnson & Johnson shiti 100 milionë. Të tjera vaksina po vijnë nga kompania AstraZeneca. Por ekspertët thonë se do të duhen shumë më shumë fabrika vaksinash në mbarë globin për të vaksinuar të gjithë popullsinë e botës prej 7.8 miliardë njerëzish.
Facebook Forum