Autoritetet vendase e ndërkombëtare në Kosovë thanë sot se sundimi i ligjit është çelësi për të gjitha zhvillimet në Kosovë dhe se një gjyqësor i pavarur do të sigurojë që të largojë ndërhyrjet politike dhe korrupsionin brenda sistemit të drejtësisë.
Këto komente u bënë në takimin vjetor të Këshillit Gjyqësor të Kosovës i cili diskutoi për procesin e reformave dhe vështirësitë me të cilat përballet drejtësia në Kosovë.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u bëri thirrje gjyqtarëve për më shumë përkushtim në punën e tyre.
“Profesionalizmi, paanshmëria dhe pavarësia e juaj e rrit besueshmërinë e sistemit tonë gjyqësor, ndërsa sigurimi i qasjes së barabartë në gjykata e rrit edhe më tej besueshmërinë e qytetarëve karshi gjykatave dhe pa dyshim që të gjitha institucionet e Kosovës do të jenë në mbështetjen tuaj”, tha presidenti Thaçi.
Ndërsa, autoritetet ndërkombëtare thanë se me gjithë arritjet e deritashme në gjyqësor ende mbetet punë për t’u bërë.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë Greg Delawie nënvizoi rëndësinë e një gjyqësori të drejtë dhe efikas për të ardhmen e Kosovës.
“Presidenti i Kosovës është shumë i rëndësishëm si në çdo vend tjetër, kryeministri është i rëndësishëm, parlamenti është shumë i rëndësishëm, unë sigurisht shpresoj që të gjithë do të marrin vendime të rëndësishme për të përmirësuar jetën e qytetarëve të Kosovës gjatë mandatit të tyre. Por për Kosovën është i rëndësishëm përparimi në fushën e sundimit të ligjit që do përcaktojë suksesin e vendit tuaj si shtet”, tha ambasadori Delawie duke nënvizuar se drejtësia, respektimi i ligjit, kushtetutës dhe zbatimi i barabartë i ligjit nuk janë thjesht koncept abstrakt, por janë rrënjësore për suksesin e Kosovës.
Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Jan Brathu tha se sistemi gjyqësor është çelësi për të gjitha zhvillimet në Kosovë. Ai tha se ky sistem nuk mundet të jetë plotësisht funksional pa besimin e publikut ndërsa vuri në dukje anketat për korrupsionin nëpër gjykata.
“Me të drejtë apo pa të drejtë është shumë shqetësuese se një në katër persona sipas anketave mendon se në gjykata ndodh shpesh korrupsioni, me të drejtë ose pa të drejtë, nëse ky është një perceptim, është problem dhe ne duhet të punojmë për ta përmirësuar atë”, tha zoti Brathu.
Riccardo Serri nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë tha se një gjyqësor I pavarur plotësisht do të sigurojë mënjanimin e ndërhyrjeve politike dhe korrupsionin brenda sistemit.
“Kur të ushtrojnë funksionet e tyre gjyqtarët duhet të jenë në gjendje që të marrin vendime sipas ligjit dhe provave dhe të jenë të lirë nga trysnitë e jashtme. Politikanët duhet të përmbahen nga komentimet e tyre ndaj vendimeve të gjykatave dhe nuk duhet të ndërhyjnë në ndonjë mënyrë tjetër në punën e gjyqësorit”, tha zoti Serri duke nënvizuar se Bashkimi Evropian pret nga gjyqësori përmirësim në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Perceptimi i keq i qytetarëve ndaj këtij sistemi, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe zvogëlimi i numrit të madh të lëndëve të pazgjidhura, janë radhitur ndër sfidat kryesore të sistemit të gjyqësisë në Kosovë.
Facebook Forum