Në Shqipëri janë rritur ndjeshëm vdekjet e të rinjve nga goditjet traumatike. Vdekjet nga aksidentet automobilistike zënë vendin e parë ndër shkaqet e vdekjes së grup-moshave të reja.
Mjekët e traumës zhvilluan në fundjavë një konferencë shkencore, për të mësuar nga kolegët perëndimorë se si të trajtojnë raste të veçanta me metoda moderne. Korrespondenti ynë, Ilirian Agolli, njofton nga Tirana.
Shoqata Shqiptare e Traumës po organizon këtë fundjavë në Tiranë konferencën e 3-të vjetore, në bashkëpunim me Spitalin Universitar të Traumës.
Mjekë shqiptarë, amerikanë, gjermanë, italianë, nga Finlanda dhe Greqia po shkëmbejnë përvojat e tyre në dobi të Shqipërisë, e cila përballet me një mori problemesh në këtë fushë.
“Traumat janë shkaku i parë i vdekjeve në moshat e reja dhe shkaku i tretë i vdekjeve të pacientëve në shkallë kombëtare sipas renditjes së sëmundjeve” - thotë dr. Myftar Torba, drejtues i shoqatës shqiptare të traumës.
Konferenca Shkencore po synon përditësimin ndërkombëtar në fushën e traumës, pjesa më e madhe e të cilave shkaktohen nga aksidentet automoblistike.
“Rreth 40 për qind e traumës janë trauma koke, më pak pjesë të tjera trupore. Vëllimi i punës është jashtëzakonisht i lartë, sepse pothuaj gjithë qytetet vijnë në kryeqytet për mjekim traume” - thotë dr. Gjovalin Bushi, drejtor i Spitalit Universitar të Traumës.
Mjekët po përpiqen që të ulin sa më shumë numrin e vdekjeve nga aksidentet, me një reagim sa më të shpejtë e profesionale ndaj pacientëve në trauma.
Pothuaj gjithë mjekët shqiptarë janë antarë të shoqatës europiane të traumës dhe referojnë në konferenca shkencore rajonale, si edhe kanë botimet e tyre në revista shkencore.
Atyre tani nuk u po u mungon as pajisja me mjete moderne në punë, ndërsa buxheti për traumën po rritet nga viti në vit.
Facebook Forum