Lidhje

Konfuzion në kufi nga politika e re e SHBA për emigracionin


Emigrantët që i largohen varfërisë apo kërcënimit të dhunës përballen me ligjet amerikane për emigracionin dhe azilin që po ndryshojnë me shpejtësi.

Sipas një programi amerikan të hartuar rishtazi, disa prej atyre që mbërrijnë në pikat e hyrjes, ose që kapen ndërsa hyjnë në territorin amerikan, detyrohen të presin në Meksikë derisa të zhvillohet seanca e tyre dëgjimore.

Si rezultat, emigrantët e gjejnë veten me pak mbështetje, me informacion të dorës së dytë të marrë nga të njohurit, si dhe me frikën për jetën e tyre, në veçanti në qytetet meksikane si Nuevo Laredo, të njohura për aktivitetin e karteleve të drogës.

Korrespondentët e Zërit të Amerikës, Ramon Taylor dhe Victoria Macchi, njoftojnë për konfuzionin e pranishëm kudo që po ndikon edhe në vendimin e emigrantëve për të ndenjur dhe provuar shanset për azil, apo për t’u rikthyer në shtëpi.

Të rrethuar nga tela me gjemba dhe të vendosur përballë lumit Rio Grande, emigrantët që kërkojnë azil në Shtetet e Bashkuara detyrohen të presin në Meksikë derisa të zhvillohet seanca e tyre dëgjimore, siç parashikohet nga politika e re amerikane për emigracionin.

Por fillimisht, emigrantët që kalojnë lumin dhe dorëzohen tek agjentët e Patrullës Kufitare, mbahen shpesh për ditë të tëra në mjedise të mbingarkuara.

“Mbërrijnë në një stacion që e gjejnë të mbingarkuar. Pra, duhet të presin nja dy ditë që t’i shohë dikush. Pastaj fillojnë kontrollet e të dhënave dhe gjithçka tjetër”, thotë Joel Martinez, i Patrullës Kufitare të Shteteve të Bashkuara, segmenti Laredo.

Përpara se të fillojnë rrugëtimin e tyre drejt veriut, emigrantët nga vendet e të mbiquajturit Trekëndëshi i Veriut (El Salvadori, Guatemala dhe Hondurasi) i thanë Zërit të Amerikës se mendojnë që mund të kërkojnë azil në SHBA nëse arrijnë të kalojnë lumin Rio Grande. Ata dinë shumë pak rreth politikës së re të emigracionit dhe çfarë pasojash mund të ketë për ta.

“Në datën e caktuar për seancën dëgjimore, gjykatësi vendos nëse të jepet e drejta e hyrjes. Por, të gjithë thonë që kjo është e kotë, pasi nuk është vërtet kështu. Na e paraqesin kështu në mënyrë që mos të këmbëngulim dhe të largohemi”, thotë Lexi, emigrante nga El Salvadori.

Në javët e para të zbatimit të politikës së re në Sektorin Laredo të Teksasit, familjet e emigrantëve të vendosur në një vend parkimi në qytetin Nuevo Laredo të Meksikës, pranë pikës kufitare, ndjehen të poshtëruar dhe të dëshpëruar. Autoritetet meksikane u thanë se nuk kishte më vend në strehëzat e atjeshme.

Loida, një emigrante nga Guatemala që kaloi lumin së bashku me mamanë e saj 64-vjeçare dhe dy fëmijët, thotë se mamanë e veçuan kur i kthyen në Meksikë.

“Supozohej që do të vinim tek diçka më e mirë, por i solla vetëm vuajtje mamasë time”, thotë Loida.

Konfuzionin e shton vendimmarja jokonsekuente se kush duhet të kthehet mbrapsht, sipas politikës së re të emigracionit. Loida thotë se nga 10 familjet që ndodheshin në grupin e saj kur u kapën, 8 prej tyre u lanë të lirë në territorin amerikan.

“U gëzuan të gjithë që do të shkonin të takoheshin me familjarët e tyre, por neve na lanë krejt të vetëm”, thotë Loida.

Rreth 3 mijë emigrantë të kapur në territorin e Shteteve të Bashkuara janë kthyer tashmë drejt qytetit Nuevo Laredo, të Meksikës. Disa zotohen se do të kthehen për seancat dëgjimore në gjykatë të caktuara në muajin nëntor. Të tjerë u dorëzuan dhe hipën në autobuzët e ofruar nga qeveria meksikane për t’i çuar në pikën më jugore të Meksikës, në kufirin me Guatemalën.

“Nuk mundemi ta detyrojmë dikë të largohet nga qyteti ynë, por mund të tregohemi strikt në zbatimin e ligjeve dhe të rregullave që të mos dëmtohet jeta e të tjerëve”, thotë Enrique Rivas Cuellar, kryetar i bashkisë së qytetit Nuevo Laredo.

Megjithatë, shumë emigrantë e shikojnë si një alternativë false opsionin për t’u larguar. Mund ta provojnë fatin e tyre në rrugë, por nuk u lejohet të qëndrojnë në kampin e sajuar.

“Po u largove që këtu, të kapin dhe të rrëmbejnë”, thotë Angelica, emigrante nga Hondurasi.

Departamenti amerikan i Shtetit i paralajmëron udhëtarët të mos shkojnë në këtë shtet meksikan për shkak të krimeve të dhunshme dhe aktivitetit të bandave. Këtë muaj u rrëmbye Pastor Aaron Mendez, drejtues i njërës prej strehëzave të emigrantëve në Nuevo Laredo. Ende nuk dihet fati i tij.

XS
SM
MD
LG