Lidhje

SHBA, Afron afati për mbylljen e mundshme të qeverisë


Në Shtetet e Bashkuara, ndërsa ligjvënësit republikanë dhe ata demokratë nuk po arrijnë një kompromis për buxhetin, që kushtëzohet nga disa çështje me përparësi partiake për të dyja palët, të premten në mesnatë skadon afati për mbylljen e mundshme të qeverisë.

Demokratët kërkojnë një ligj shpenzimesh të veçantë, për ta mbajtur hapur qeverinë, ndërsa republikanët duan ta lidhin atë me masat për fuqizimin e sigurisë kufitare dhe reformat për imigracionin e ligjshëm.

Republikanët u paraqitën demokratëve një ligj shpenzimesh që nuk e përfshin mbrojtjen ligjore për 700 mijë imigrantët pa dokumente që kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara kur ishin fëmijë, të njohur si programi DACA; nga ana tjetër, ata përfshinë një masë me përparësi të lartë për demokratët, riautorizimin për 6 vjet të tjerë të Programit për Sigurimin Shëndetësor të Fëmijëve.

Shefi i personelit i Shtëpisë së Bardhë, John Kelley u takua me Komisionin e Hispanikëve të Kongresit, ndërsa një numër në rritje demokratësh kërkojnë përfshirjen në buxhetin e ri të përfituesve të programit DACA.

Pas takimit, zoti Kelly tha se Presidenti Trump e mbështet programin Daca, por nuk dha garanci të tjera, përveçse përsëriti pozicionin e Presidentit se ai do të pranonte një ligj me kushtin që ai të jetë miratuar nga të dyja partitë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG