Lidhje

Kongresi i PS: Reagimet e kritikëve brenda partisë


Kongresi i PS: Reagimet e kritikëve brenda partisë
Kongresi i PS: Reagimet e kritikëve brenda partisë

Anëtarët e kryesisë së Partisë Socialiste, Ben Blushi, Arben Malaj dhe Kastriot Islami shprehin shpresat për të ardhmen e partisë

Disa nga politikanët e njohur në radhët e Partisë Socialiste që kanë shprehur kritika për rrugën që ka ndjekur deri tani partia e tyre, thanë se mbanin shpresa se kongresi i sotëm do të kthejë partinë në platformat e majta. Anëtari i kryesisë së PS-së, Ben Blushi, thotë se kongresi i sotëm e kthen këtë parti tek qëndrimet e majta, duke braktisur dyzimet, bojkotet dhe politikën e rrugës. Ndërsa anëtari tjetër i kryesisë së PS, Arben Malaj, thotë se partia duhet të dalë me premtime të besueshme dhe shpresëdhënëse për qeverisjen e ardhshme. Nga ana tjetër, Kastriot Islami, anëtar i kryesisë, thotë se bashkimi i majtës dhe uniteti janë sfida për Partinë Socialiste. Gjeni me poshtë të plota intervistat e tyre.

Blushi: “PS po kthehet majtas”.

Anëtari i kryesisë së PS-së, Ben Blushi, thotë se kongresi i sotëm e kthen këtë parti tek qëndrimet e majta, duke braktisur dyzimet, bojkotet dhe politikën e rrugës.

Zëri i Amerikës: Cili është komenti juaj i parë lidhur me fjalimin e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama? Cilat nga tezat e fjalimit ju bënë më tepër përshtypje?

Ben Blushi: Unë besoj se ky kongres përmbush përvojën që ka Partia Socialiste, dhe më gjerë se kaq, për një kthim tek idetë. Unë dhe shumë të tjerë prej shumë kohësh kemi thënë se ka një vakuum idesh brenda Partisë Socialiste, se ka aksion jo gjithmonë të mbështetur mbi ide. Ky kongres besoj që e mbush pritshmërinë dhe nevojën e shoqërisë shqiptare për një parti që ka ide, që ndan filozofinë e vet me filozofinë e kundërshtarit.

Në përgjithësi dua të them që njerëzit kanë arësye të ikin nga ky kongres me mendimin se Partia Socialiste u kthye majtas, nuk është më as majtas as djathtas, as përtej të majtës as përtej të djathtës”. Ajo është një parti e majtë, socialdemokrate, e orientuar nga tema themelore që ka Shqipëria sot; nevojën për të zbutur polarizimin social, për të luftuar korrupsionin dhe varfërinë. Këto tema po trajtohen në sallën e kongresit më në detaje për një mënyrë të re të administrimit ekonomik, një mënyrë të re administrimit të shërbimeve, arsim, shëndetësi, për mënyrën se si duhet të taksohen dhe se si duhet të kontribuojnë shqiptarët. Këto janë disa parime të përgjithshme, të cilat deri në vitin 2013 shpresoj t’i japin më shumë oksigjen politikës shqiptare dhe Partisë Socialiste.

Zëri i Amerikës: Sa jetëgjatë mendoni ju se do të jetë ky riformatim i Partisë Socialiste drejt të majtës klasike? Apo ky është një riformatim i përkohshëm për të korigjuar disa gabime të çastit?

Ben Blushi: Sot, me anë të këtij kongresi Partia Socialiste tregoi që ka një aftësi vetkorrigjuese. Pavarësisht që formalisht nuk është vendosur, sot në fakt u vendos që të mos ketë më bojkot, të mos ketë më politikë rruge, të kthehemi majtas, t’i shohim me më shumë solidaritet të varfërit e Shqipërisë, t’i shohim me më shumë realizëm të pasurit dhe të kemi në fund të fundit fytyrën tonë qeverisëse, e cila sigurisht nuk është përfundimtare.

Besoj se deri në vitin 2013 këto tema do të debatohen dhe publiku, shqiptarët në 2013 nuk kanë arësye dhe nuk do të duhet të kenë më arësye të votojnë në mes të dy gjërave të ngjashme, por duhet të votojnë midis dy gjërave të ndryshme që është e majta dhe e djathta në Shqipëri. Ne po shkojmë drejt kësaj rruge. Shpresoj që gjatë rrugës nuk do të kemi kapricio të tjera si ato që kemi patur dy vitet e fundit; pra, nuk do të dalim më në rrugë, nuk do të bëjmë më greva urie pa arësye, nuk do të shkojmë në bojkot, por do të merremi me një program, për të cilin Shqipëria ka nevojë, për një program sado modest që filloi të flitet sot.

Zëri i Amerikës: Zoti Blushi, cila mendoni se është pika kyçe që do ta vërë në vështirësi maxhorancën e kryeministrit Berisha nga ky kongres në garën dypartiake?

Ben Blushi: Unë mendoj se problemi më i madh që kanë shqiptarët sot është varfëria. Duhet të konkurrohet me ide, platforma, instrumenta administrativë për të mundur varfërinë. Cila nga dy partitë e mëdha apo koalicionet e mëdha adreson më mirë çështjet e varfërisë sigurisht ka arësye që të votohet më tepër. Pas 6 vitesh qeverisjeje, qeveria e Sali Berishës e ka të pamundur të vazhdojë, sepse nuk ka patur sukses në luftën kundër varfërisë, nuk ka patur sukses në luftën kundër korrupsionit. Besoj që garën e ardhshme elektorale këto dy përqasje do të konkurrojnë. Jam i bindur që kjo gjuhë që u përdor sot këtu në këtë kongres mund të gjenerojë më shumë vota për të majtën.

Malaj: “PS nuk duhet të ketë liri të kushtëzuar brenda saj”.

Anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste, Arben Malaj, thotë se nga kongresi sotëm partia duhet të dalë me premtime të besueshme dhe shpresëdhënëse për qeverisjen e ardhshme

Zëri i Amerikës: Zoti Malaj! Cili është reagimi juaj i parë për ecurinë e deritanishme të Kongresit dhe idetë që po diskutohen këtu?

Arben Malaj: Ky është një kongres katërvjeçar, i cili duhet të miratojë programin politik jo një program elektoral të Partisë Socialiste. Njëkohësisht kongresi duhet të miratojë kushtetutën, pra statutin e Partisë Socialiste. Kongresi duhet të vazhdojë me diskutime lidhur me atë që përbën thelbin: Shqiptarët janë në një moment kritik, dhe Partia Socialiste ka misionin historik të vijë sa më parë në pushtet. Gjithmonë kemi diskutime se cila është rruga më e mirë. Dëshira është e përbashkët, por rruga duhet qartësuar. Dua të theksoj mesazhin që më ka ardhur nga takimet me shumë studentë dhe të rinj shqiptarë: Partia Socialiste, përballë populizmit të Berishës, duhet të vendosë seriozitetin, përgjegjshmërinë dhe kredibilitetin maksimal. Kur ne të vijmë në pushtet situata politike do të jetë më e vështirë. Fitoret politike nuk janë më me distanca të thella, por fitore të ngushta. Është e vështirë që të krijohen qeveritë e reformave. Elementi thelbësor që duhet të bëjë dallimin në premtimet për një mirëqeverisje do të jetë kredibiliteti. Duhet kredibiliteti i premtimeve publike dhe kredibiliteti i vlerave që do të angazhojë Partia Socialiste, bashkë me aleatët e saj, me shoqërinë civile dhe me faktorët socialë në vend, për ta ndryshuar cilësisht qeverisjen e shqiptarëve.

Zëri i Amerikës: Cilat janë disa nga idetë që ju do të shpalosni në këtë kongres?

Arben Malaj: E para dhe kryesorja; Partia Socialiste duhet të jetë një parti institucionale. Ne duhet ta zhdukim frikën e bojkoteve dhe ngërçeve politike nga realiteti politik shqiptar. Ky është një parakusht, duke patur parasysh edhe vështirësitë që kemi.

E dyta; ne duhet t’i japim energji pozitive partisë socialiste. Të heqim barrierat. Për të fituar neve na duhet më shumë liri dhe jo më pak liri; aq më pak na duhet liri e kushtëzuar nga ata që mendojnë se e kanë këtë të drejtë.

Ne mund të të kufizojmë mandatet politike; jo më shumë se dy mandate të njëpasnjëshme në nivel politik dhe në nivel qeverisës. Demokracia shqiptare pas ndryshimeve spontane të kushtetutës në vitin 2008, ka pësuar deformime akoma më të thella. Jemi republikë parlamentare që zgjedhim me votën e shqiptarëve vetëm kryetarët e komunave dhe të bashkive. Po na krijohet një kastë, e cila merr një mandat politik, rri në pushtet 3-4 mandate dhe detyrimin që ka ndaj gjithë shqiptarëve dhe atyre që e kanë votuar majtas apo djathtas nuk e përmbush. Problemet janë të mprehta për partitë politike, por angazhimi jonë, çka e morëm si mesazh nga rinia, është misioni për ta modernizuar politikën shqiptare, Këtë angazhim e ka më të plotë Partia Socialiste. Ajo nuk duhet të humbasë asnjë minutë kohë për të bërë më të mirën; të maksimizojë sinergjitë pozitive të burimeve që ka në vetvete, të rritet Partia Socialiste sa më shumë, të jetë e hapur për koalicione në mënyrë që qeveria e 2013 të mos ngjajë me qeverinë aktuale. Jo thjesht për shkallën e korrupsionit, as për shkallën e kapjes së shtetit, por sidomos për faktin që vetëm mbijeton dhe nuk bën dot reformat.

Duhet t’i kërkojmë falje opinionit publik shqiptar që kemi dështuar për reformat e mëdha dhe kemi dështuar për herë të dytë rresht për t’u bërë vend kandidat në Bashkimin Europian. Më e keqja është se kemi dështuar pikërisht në kohën kur dyert e Europës janë hapur për vendet e Ballkanit Perëndimor. Po ecin më shpejt vendet e tjera që kanë krijuar kriza dhe konflikte dhe nuk duhet të hezitojmë që të diskutojmë atë që duhet të bëjmë mirë që Shqipëria në asnjë mënyrë të mos mbetet pas, por të ecë më shpejt, sepse ka qenë kontributori i paqes dhe prosperitetit në Ballkan.

Islami: “Bashkimi është sfida e socialistëve”

Anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste, Kastriot Islami, thotë se bashkimi i majtës dhe uniteti brenda radhëve janë sfida për Partinë Socialiste para çdo raundi zgjedhor.

Zëri i Amerikës: Zoti Islami, nga ecuria e deritanishme e Kongresit, si ju duket cilësia e debatit për sfidat e Partisë Socialiste?

Kastriot Islami: Pas diskutimeve në asamble të programit dhe ndryshimeve statutore, ish-presidenti Rexhep Mejdani dha një mendim për disa pjesë të programit dhe sot godit fuqimisht nga zoti Rama në fjalimin e tij, duke e konsideruar mendimin e tij kundër por ky mendim e paska çuar zotin Mejdani te zoti Berisha. Kjo është në kundërshtim me të gjithë retorikën e mëparshme që bëri zoti Rama për bashkim dhe për të pranuar gabimet. Po në atë mbledhje, një nga personalitetet e Partisë Socialiste, Servet Pëllumbi, tha që PS është kthyer në një o.j.f. pa ide, pa ideale dhe pa emocione. Edhe ai fut në grupin e dytë të njerëzve që kritikojnë dhe duke kritikuar i shërbekan prapë zotit Berisha.

Pra, thellë në subkonshiencë, mendimi ndryshe trajtohet në një situatë bardhezi, ose të jeni me mua, të flisni siç mendoj unë dhe do t’i vlerësoj unë kritikat, ose po folët ndryshe, atëherë ju jeni me kundërshtarin Sali Berisha. Nuk mendoj se kjo është hapësira e nevojshme për të bërë një debat idesh dhe parimesh dhe argumentash. Këtu mora në konsideratë dy figura të rëndësishme të Partisë Socialiste që e kanë treguar veten e tyre për 20 vjet në drejtimin e Partisë Socialiste dhe në drejtimin e institucioneve të larta të shtetit si Presidenti i Republikës dhe Kryetari i Parlamentit.

Të stigmatizosh negativisht dhe t’i hedhësh në prehërin e Berishës këto dy figura kaq të rëndësishme, edhe në rastin më të keq, sikur ata ta kenë tepruar me kritikat e tyre, më duket një mbyllje e të gjithë hapësiave të debatit, dhe në një kohë tjetër, do të thoja se është një goditje e vlerave të Partisë Socialite.

Problemet që Partia Socialiste duhet të adresojë sa më mirë janë; krijimi i një mjedisi të përshtatshëm për debat të lirë dhe pa stigmatizime negative bardhezi “o me mua o kundër meje”. Dhe e dyta; të gjitha vlerat e PS-së duhen vlerësuar, duhen vendosur në një hierarki vlerash dhe kontributesh. Nuk mjafton vetëm retorika që “do bashkohemi” dhe që “këtu jemi të gjithë brezat bashkë”, por kjo duhet lexuar dhe zbatuar në çdo rresht, në çdo frazë, në çdo kontekst, madje edhe në subkoshiencën e atij që mbajti sot fjalimin kryesor në këtë kongres.

Zëri i Amerikës: Por, a do të jetë ky një kongres bashkimi? Sic ka nisur, si do të mbarojë?

Kastriot Islami: Problemi është më i gjerë se kaq, mendoj unë. Në radhë të parë, siç është vërtetuar në 2005, 2007 dhe në 2009, për të fituar zgjedhjet PS duhet të bashkojë të majtën, e cila ende vazhdon të jetë e pabashkuar në nivelin e saj maksimal. Kjo është një nga sfidat më të mëdha, të cilën zoti Rama në 2005, kur kërkoi largimin e zotit Nano e vendosi si prioritetin e prioriteteve, dhe nuk arriti dot që ta realizojë. Pra, kjo mbetet një sfidë kryesore për të fituar zgjedhjet.

Momenti i dytë është krijimi me të gjithë aleatët e saj i një aleance të sinqertë. Ndërsa treti, është e nevojshme vendosja e disa rregullave për përmirësimin e demokracisë së brendshme, hierarkisë së vlerave dhe karrierës në PS. Këto përbëjnë një bllok të rëndësishëm krahas programit, i cili është një bazë e mirë debati dhe diskutimi. Ka gjëra që duhen diskutuar dhe mund të bëhet diskutim rreth programit. Statuti është një ndryshim formal i radhës, që nuk ka ndonjë vlerë, do të thoja unë, në përmirësimin e çështjeve që përmenda më lart. Në të ardhmen ato duhen zgjidhur në mënyrë integrale, por nëse nuk zgjidhen, sfida e PS dhe opozitës në tërësi do të mbetet e vështirë, po të kemi parasysh edhe tre betejat e fundit elektorale.


XS
SM
MD
LG