Lidhje

Kongresi i ri lexon Kushtetutën amerikane dhe shkurton buxhetin e tij


Kongresi i ri lexon Kushtetutën amerikane dhe shkurton buxhetin e tij
Kongresi i ri lexon Kushtetutën amerikane dhe shkurton buxhetin e tij

Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga republikanët lexoi simbolikisht Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara. Pas kësaj ceremonie, Dhoma e Përfaqësuesve iu kthye rendit të ditës dhe votoi për shkurtimin e shpenzimeve të buxhetit të saj me pesë përqind. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Sindi Shejn na informon nga Kongresi në ditën e dytë të legjislaturës së 112-të.

Idea për leximin me radhë të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara në Dhomën e Përfaqësuesve ishte e republikanit Robert Gudlejt nga Virxhinia.

"Këtë mëngjes, për herë të parë në historinë e Dhomës së Përfaqësuesve, ne do të lexojmë me zë të lartë Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara. Ne shpresojmë se kjo do të frymëzojë më shumë amerikanë të lexojnë Kushtetutën. Teksti që ne lexojmë sot pasqyron ndryshimet që i janë bërë këtij dokumenti me 27 amendamentet e tij”.

Kryetari i ri i Dhomës së Përfaqësuesve, Xhon Bejnër, lexoi pjesën e parë.

"Ne populli i Shteteve të Bashkuara, me qëllim që të formojmë një bashkim më të përsosur, të vendosim drejtësinë, të sigurojmë qetësinë e brendëshme, të ndihmojmë për mbrojtjen e përbashkët, të promovojmë mirëqënien e pëgjithshme dhe të sigurojmë bekimet e lirisë për vete dhe pasardhësit tanë, krijojmë dhe vendosim këtë Kushtetutë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Pati disa debare para se të lexohej Kushtetuta se cili version dhe cilat pjesë do të lexoheshin. Dokumenti 222 vjeçar, para miratimit të amendamenteve të tij, përmbante gjuhë që vlerësonte skllavërinë dhe nuk u njihte grave të drejtën e votës.

Përfaqësuesi demokrat nga Illinoi, Xhesi Xhekson, tha se ajo ishte pjesë e historisë së vendit dhe pjesë e luftës së vazhdueshme të afrikano-amerikanëve dhe grave. Aktivisti i shquar i të drejtave civile, kongresisti nga Xhorxhia, Xhon Luis, lexoi amendamentin e 13-të të Kushtetutës për heqjen e skllavërisë.

Disa analistë politikë spekulluan se qëllimi kryesor i Republikanëve ishte të kënaqnin aktivistët e lëvizjes Tea Party, të cilët i ndihmuan të fitonin shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve. Përkrahësit e kësaj lëvizjeje shpesh mbajnë me vete kopje të Kushtetutës dhe mbrojnë një rol të kufizuar të qeverisë dhe taksa të ulta.

Pasi u bë e qartë se do të lexohej versioni i ndryshuar i Kushtetutës origjinale, ligjvënësit demokratë morën pjesë në leximin e saj të përbashkët, duke e bërë këtë një ngjarje dy partiake.

Por Kryetari i ri i Dhomës së Përfaqësuesve, Xhon Bejnër, iu kthye menjëherë pas leximit rendit të ditës së Dhomës së Përfaqësuesve dhe tha se ajo ka miratuar tashmë rregulla të reja për procedurën e punës.

"Ka ikur koha kur projektligjet shkuheshin në zyrën e Kryetarit dhe i paraqiteshin për miratim Dhomës së Përfaqësuesve brenda disa orësh. Ka ikur koha e mospërfilljes së Kushtetutër. Në këtë Kongres, ne do të publikojmë për tri ditë çdo projektligj, pra se ai të hidhet në votë”.

Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve janë zotuar të shkurtojnë shpenzimet qeveritare dhe se do të përpiqen të prapsojnë reformën e kujdesit shëndetësor të Presidentit Barak Obama. Si hap të parë, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi me 410 vota pro dhe 13 kundër, shkurtimin e buxhetit të saj me pesë përqind.

Presidenti Obama pritet të parashtojë vizionin tij për të ardhmen e vendit në fjalimin për gjendjen e vendit që do të mbajë në sesionin e përbashkët të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit në fund të këtij muaji.

XS
SM
MD
LG