Lidhje

Kongresi po studion mënyra për të ndryshuar politikat e imigracionit


Kongresi po studion mënyra për të ndryshuar politikat e imigracionit
Kongresi po studion mënyra për të ndryshuar politikat e imigracionit

Studentët e huaj dynden në universitetet amerikane për mastera dhe doktoratura në shkencë e teknologji

Kongresi amerikan po debaton për rishikimin e sistemit të imigracionit në përpjekje për të mbajtur një pjesë të të huajve të cilët diplomohen në shkallë të avancuara në universitetet amerikane. Qëllimi është që këta të huaj të ndihmojnë që Shtetet e Bashkuara të ruajnë pozitën konkurruese në botë. Disa thonë se kjo është “ një rrjedhje truri në drejtim të kundërt.”

Shumë studentë të huaj vijnë në universitetet amerikane për të bërë mastera dhe doktorata në shkencë, teknologji, inxhinieri, dhe matematikë.

Por shumë prej tyre, si 25-vjeçari Uei Yi-fang nga Si-an i Kinës qëndrore, nuk mund të marrin vizë për të punuar këtu pas diplomimit.

Në vitin 2009, studentët e huaj morën dy të tretat e doktoraturave në fizikë dhe inxhinieri që japin universitetet amerikane.

Siao Çin është nga Pekini dhe po bën doktoratë për shkencat kompjuterike në Universitetin Georgetown të Uashingtonit.

Ai do të donte të punonte për kompanitë Google, Yahoo apo Microsoft.

“Natyrisht, ne preferojmë të qëndrojmë këtu disa vjet, por në qoftë se nuk marrim vizë, na duhet të largohemi,” thotë Siao Çin.

Shtetet e Bashkuara kanë vënë kufizime për numrin e të huajve që mund të punojnë këtu dhe kritikët thonë se këto politika kufizuese dëmtojnë aftësinë e vendit për të mbajtur studentët më të mirë. Ja ç’thotë Zoe Lofgren, kongresiste nga Kalifornia.

“Dikur ne u kërkonim mendjeve më të ndritura në botë që të vinin dhe të jetonin këtu, kurse tani i refuzojmë ata. Pasi shkollojmë dhe trajnojmë studentët më të mirë në universitetet tona, ne nuk e mirëpresim dëshirën e tyre për ta pasuruar këtë vend.”

Kompanitë e teknologjisë së lartë marrin studentë nga universitetet më të mira të vendit.

Por disa kompani, si Texas Instruments, thonë se disa herë, duhen deri në 10 vjet që punonjësit e tyre të huaj të marrin statusin e banorit të përhershëm. Darla Whitaker është zëvendës presidente e kompanisë Texas Instruments.

“Kjo nuk mund të vazhdojë. Kjo e dëmton kompaninë dhe industrinë tonë dhe është barrë e rëndë mbi punonjësit.”

Shtetet e Bashkuara tani kufizojnë numrin e imigrantëve nga vendet e tjera në bazë vendit të origjinës. Kjo do të thotë se studentët nga vendet e mëdha në përgjithësi presin më gjatë se të tjerët.

Një studim i Fondacionit Kombëtar për Politikën Amerikane thotë se shtetasit indianë me aftësi të larta mund të presin me dekada për marrjen e statusit të banorit të përhershëm.

Vivek Wadhwa, studiues i emigracionit punon për fakultetin e Universiteteve Harvard dhe Duke.

“Ne jemi të shkëputur nga realiteti. Jetojmë në një ekonomi të dijes, pra ku gjithshka ka të bëjë me konkurrencën. Nëse nuk i mbajmë këta njerëz, nëse nuk konkurrojmë, do të humbasim. Do të bëhemi vend i botës së tretë dhe ata do të bëhen si ne.”

Kongresi po studion mënyrat për të ndryshuar politikat e Amerikës ndaj emigracionit. Por deri tani nuk ka pasur një konsensus për të mbajtur në Amerikë mendjet më të mira, për të mbajtur studentë të tillë si Uei Yi-fang dhe Siao Çin kur ata të jenë diplomuar nga universitetet më me emër të Amerikës.

XS
SM
MD
LG