Lidhje

Kaliforni, Kontrolle të forta ndaj armëmbajtjes


Pas ngjarjes së Kolorados, në Shtetet e Bashkuara është rihapur debati për armëmbajtjen

Kalifornia ka disa nga ligjet më të rrepta për kontrollin e armëve të zjarrit në Shtetet e Bashkuara dhe disa amerikanë e shohin këtë shtet si model për ligje të ardhshme në shkallë vendi. Por të tjerë shqetësohen se kjo do ta dëmtonte të drejtën për të mbajtur armë, që garantohet në amendamentin e dytë të kushtetutës amerikane. I hedhim tani një sy debatit për kontrollin e armëve të zjarrit dhe të drejtës për të mbajtur armë.

Në shumë shtete të Amerikës, ka kufizime të pakta për armëmbajtjen. Armët në përgjithësi përdoren për gjueti dhe sport, si edhe për vetëmbrojtje.

Disa shtete e kufizojnë shitjen e disa armëve të zjarrit, municioneve dhe pjesëve të armëve. Kalifornia e ndalon shitjen e municioneve të precizionit të lartë dhe pushkëve të stilit ushtarak. Blerësit e armëve të tjera duhet të presin 10 ditë ndërsa autoritetet kontrollojnë për ndonjë të kaluar kriminale apo histori sëmundjesh mendore të blerësit. Kalifornia i regjistron armët dhe deri në vitin 2014 do të mbajë të dhëna për pushkët dhe pistoletat e shitura në shtet.

Shtete fqinjë nuk janë kaq strikte, thotë detektivi i policisë së Los Angelesit, Richard Tompkins.

“Ka njerëz që dalin nga shteti për të blerë armët dhe i sjellin brenda shtetit. Disa e bëjnë sepse duan të kenë armë. Disa i shesin në treg të hapur në shtetin e Kalifornisë”.

Shitja e armëve dhe municioneve në internet është e pakufizuar në disa shtete. Në Kaliforni, armët e zjarrit duhet të shiten përmes tregëtarëve që kanë liçencë. Por për shkak të ligjeve të ndryshme nga shteti në shtet, ka mangësi në zbatimin e tyre, thotë Daniel Vive i Qendrës Brady për Parandalimin e Dhunës me Armë.

“Siç e pamë në Kolorado, mund të blesh mijëra raunde municionesh në internet. Mund të blesh veshje antiplumb në internet. Në internet madje mund të gjesh edhe shitës privatë armësh që mund të të shesin armë pa të bërë asnjë pyetje, pa kontrolluar të kaluarën, dhe pa regjistruar shitjen. Si mund ta lejojmë një gjë të tillë sot në Shtetet e Bashkuara?”

Shumë amerikanë që përdorin armë, janë qytetarë që respektojnë ligjin, që ushtrojnë një të drejtë bazë, thotë koleksionisti i armëve, Frank Sharp. Ai thotë se u trondit nga masakra e fundit në kinemanë e Kolorados.

“Nuk mund të gjej fjalë ta përshkruaj sesa i tmerrshëm është ky incident. Por nuk besoj se të konsiderosh njerëz si unë, kriminelë, do ta parandalonte një gjë të tillë. Mendoj se po të kishte qenë dikush në atë sallë kinemaje që të kishte ligjërisht një armë me vete, gjërat do të kishin shkuar ndryshe”.

Ligjet e ndryshme shkaktojnë probleme për forcat e rendit, thotë detektivi i Los Angelesit, Richard Tompkins.

“Është e vështirë me ligje të ndryshme në shtete të ndryshme dhe shumë pak ligje federale”.

Për disa, ngurrimi i qeverisë federale për të miratuar ligje për kontrollin e armëve është rruga e duhur. Ata thonë se kufizimi i të drejtave të armëmbajtjes nuk zgjidh problemin e krimit të dhunshëm. Të tjerë thonë se vendosja e më shumë kufizimeve ndaj shitjes së armëve mund të pakësojë dhunën dhe se është koha për një diskutim kombëtar për këtë çështje.
XS
SM
MD
LG