Lidhje

Kooperativa "Krusha", gratë thyejnë traditën shekullore


Gratë në fshatin Krushë e Madhe të Kosovës, fshat që humbi pothuajse tërë meshkujt gjatë luftës, po dalin tani kundër tabuve shekullore duke bërë punë që tradicionalisht i bënin meshkujt. Një grup të rejash kanë mësuar si të përdorin traktorët dhe të punojnë tokën duke ngritur kooperativën e parë bujqësore që përbëhet vetëm nga gra.

Fahrie Hoti ishte vetëm 28 vjeçe, kur bashkëshorti i saj së bashku me 225 burra të fshatit u vranë nga forcat serbe. Ajo ngeli vetëm me dy fëmijët, vajzën 3-vjeçare dhe djalin tre muajsh. Në fshat rreth 500 fëmijë mbetën jetimë. Fahrijes iu desh të punonte për të mbajtur familjen. Më vonë ajo dhe gratë e tjera të ve në fshat u bashkuan dhe krijuan kooperativën bujqësore "Krusha".

Atyre iu desh të luftonin me paragjykimet që nuk i lejojnë gratë të merren me biznes ose të dalin pa burrat në vende publike.

"Për mentalitetin tonë rural, në Kosovë është shumë e vështirë për një grua që ka humbur bashkëshortin, të udhëheqë një familje apo një biznes. Gjërat janë pak më ndryshe në Krushë pasi njerëzit këtu i kuptojnë rrethanat. Një grua e ve që punon, kujdeset për familjen dhe për edukimin e fëmijëve këtu shikohet si një shembull i mirë."

Gratë këtu etiketojnë dhe paketojnë kavanoza me turshi dhe speca të kuqe që janë një prodhim tradicional vendas.

Kooperativa "Krusha" është e njohur në Kosovë. Produktet e saj bëhen mbi bazën e recetave tradicionale dhe kompania ka krijuar një emër të mirë.

"Planet tona dhe ëndrra jonë është që të konkurrojmë me kompanitë e mëdha", thotë Pranvera Spahiu, drejtore e kooperativës “Krusha”.

Tani për tani, kjo firmë i shet produktet e saj përmes rrjeteve të supermarketeve në Kosovë, duke përfshirë edhe Prishtinën, por mundësia e eksportit jashtë duket gjithnjë e më reale. Ndër të tjera "Krusha" prodhon "ajvar" organik, produkt jashtëzakonisht popullor në rajon.

XS
SM
MD
LG