Lidhje

Kopshte terapike në spitalet amerikane


Një numër në rritje spitalesh dhe klinikash amerikane po krijojnë kopshte për pacientët dhe vizitorët. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Faiza Elmasry vizitoi kopshtet në spitalin Johns Hopkins dhe njofton se edhe pse ishin projektuar të duken si oaze të vogla, ato janë më shumë se sa thjesht pjesë e peizazhit.

Yoyo Caudill-it i pëlqen të kalojë kohën në këtë kopsht, kur i lejohet të dalë nga dhoma e tij e spitalit. Ato janë frymëzuar nga libri për fëmijë, "Princi i Vogël".

Për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, nëna e sjell rregullisht Yoyonin në spital dhe javën e kaluar ai iu nënshtrua një operacioni.

"Kjo është një zonë shumë e mirë neutrale e spitalit. Unë mendoj se ajo ndihmon nga pikëpamja mendore, emocionale, u ofron fëmijëve një vend për të kaluar kohën."

Qëndrimi në spital është stresues për pacientët e rinj, thotë drejtorja e Qendrës së Fëmijëve në spitalin Johns Hopkins, Patrice Brylske.

"Ata kanë shumë frikë kur vijnë në spital."

Për të minimizuar këto shqetësime, thotë ajo, shumë spitale tani po përpiqen t’u ofrojnë të rinjve një vend për t’u qetësuar, jashtë dhomës së spitalit.

"Këtë përfaqëson ky kopsht shërimi; një vend ku fëmijët mund të pushojnë, të luajnë mbi bar, dhe të shikojnë zogjtë dhe fluturat."

Kopshti Princi i Vogël është një nga tre kopshtet shëruese në spitalin Johns Hopkins.

Ato janë të hapura për pacientët e rinj dhe të rritur, për familjarët e tyre dhe për personelin e spitalit.

Të gjitha janë projektuar nga Susan Weiler.

"Mendoj se kopshtet shëruese janë një fenomen relativisht i ri, si një element i spitaleve dhe klinikave, por ideja e kopshteve të shërimit është e lashtë."

Ajo thotë se disa elemente duhet të jenë të pranishme në një kopsht shërimi.

" Në kopsht duhet të ketë diell dhe hije të mjaftueshme", thotë zonja Weiler.

Bimët janë zgjedhur me kujdes për të tërhequr shqisat e shikimit, dëgjimit dhe nuhatjes.

"Nga pemët deri te mbulimi i sipërfaqes së tokës, çdo gjë është e ekuilibruar mirë. Duhet të ketë një balancë."

Zonja Weiler ka inkorporuar edhe një shumëllojshmëri të sipërfaqeve në kopsht.

"Mendoj se kur njerëzit shohin materiale të qëndrueshme, i bën të ndjehen më të qetë".

Pamjet e këndshme ngushëllojnë pacientët, madje edhe ata që shikojnë nga brenda spitalit, thotë zyrtarja e spitalit Johns Hopkins, Sally MacConnell.

"Ju mund të ecni në një korridor nga ku mund të shihet kopshti dhe ndoshta vetëm shikimi i kopshtit mund të bëjë që ju të ndjeheni pak më mirë, pak më të qetë."

Dhe kjo shpesh nxit reagime pozitive.

"Komenti që dëgjoj më shumë është se nuk ndjeni sikur jeni në qendër të qytetit, por në fakt spitali është në qendër të qytetit."

Kjo është fuqia shëruese e natyrës.
XS
SM
MD
LG