Lidhje

Ashpërsohet retorika mes SHBA dhe Koresë së Veriut


Presidenti Donald Trump ka reaguar me kërcënime ndaj deklaratës që bëri për vit të ri udhëheqësi koreano-verior Kim Jong Un mbi kapacitetet bërthamore të vendit të tij. Ndërkohë në Kombet e Bashkuara, ambasadorja amerikane kërkoi një qëndrim më të fortë ndërkombëtar ndaj ambicjeve bërthamore të Koresë së Veriut.

Presidenti Trump ka reaguar ashpër ndaj komenteve të Kim Jong Unit për vitin e ri, kur udhëheqësi koreano-verior tha se mbi tavolinën e punës mbante butonin e aktivizimit të armëve bërthamore.

Mbrëmë Presidenti Trump postoi në Twitter një koment ku thoshte: “A mundet dikush nga regjimi i tij i mbaruar dhe i uritur t’i tregojë atij se edhe unë kam buton për armët bërthamore, por e kam më të madh e më të fuqishëm dhe se butoni im në fakt punon”.

Ndërkaq, Ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley i bëri thirrje opinionit ndërkombëtar të dënojë politikat e Koresë së Veriut, ndërkohë që Pheniani duket se po përgatit një provë tjetër me raketë balistike.

Nikki Haley, Ambasadore amerikane në OKB

“Shpresoj të mos ndodhë. Por nëse e kryejnë provën, ne duhet të vëmë në zbatim masa edhe më të rrepta kundër regjimit koreano-verior. Bota e qytetëruar duhet të qëndrojë e bashkuar dhe vigjilente përballë tendencës së këtij regjimi të papërgjegjshëm për të krijuar një arsenal bërthamor. Nuk do të pranojmë kurrë një Kore Veriore me armë bërthamore”.

Vjet Koreja e Veriut testoi tre raketa balistike ndër-kontinentale dhe kreu provën e saj të gjashtë e më të fuqishme bërthamore.

H.R. McMaster, këshilltari i Presidentit Trump për Sigurinë Kombëtare, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se për të shmangur luftën me regjimin komunist të Phenianit, nevojitet një bashkëveprim mes fuqive botërore për të ushtruar presion mbi Korenë e Veriut që të heqë dorë nga ambicjet bërthamore:

“Ka gjasa që regjimi i Koresë së Veriut ta kuptojë se duke vazhduar rendjen pas armëve bërthamore do të përfundojë në qorrsokak. Për të arritur këtë, pa shkuar tek lufta, duhet që të ushtrojmë presion ekonomik. Ky presion është në duart e Kinës kryesisht, por edhe në duart e të tjerëve. Deri tani prirja ka qenë pozitive, pasi një numër gjithnjë e më i madh vendesh po ndërpresin tregtinë me Korenë e Veriut. Për shembull, Vjetnami, edhe Filipinet… një listë e gjatë vendesh po reagojnë”.

Ndërkaq, regjimi komunist i Phenianit ka rihapur kanalet e komunikimit me fqinjin e jugut, në një tentativë për të përmirësuar marrëdhëniet mes dy Koreve.

Zyrtarët koreano-jugorë thonë se homologët koreano-veriorë u telefonuan sot në linjën e emergjencave që ndodhet në zonën kufitare mes dy vendeve.

Kreu i agjencisë koreano-veriore që menaxhon marrëdhëniet mes Koreve tha se vendi i tij dëshiron një dialog me Jugun, që të zhvillohet “me ton të sinqertë dhe qëllime të ndershme”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG