Lidhje

Pheniani paralajmëron gjuhë fyese ndaj Presidentit Trump


Zv.Ministrja koreanoveriore e Punëve të Jashtme Choe Son Hui

Koreja e Veriut paralajmëroi sot se do të përdorë sërish gjuhë ofenduese për të përshkruar Presidentin amerikan Donald Trump nëse ai vazhdon të provokojë Phenianin.

Paralajmërimi u bë nga Zv.Ministrja e Punëve të Jashtme të Koresë së Veriut Choe Son Hui, ndërkohë që po shuhen shanset e rifillimit të negociatave për armët bërthamore dhe programet e raketave balistike të Koresë së Veriut.

Gjatë javëve të fundit, Koreja e Veriut ka sugjeruar se do të rifillojë testimet bërthamore dhe të raketave me rreze të gjatë, nëse Shtetet e Bashkuara nuk bëjnë lëshime përpara fundit të vitit në negociatat bërthamore.

Presidenti Trump u shpreh të martën gjatë një takimi të NATO-s në Londër se ai ka një marrëdhënie “vërtet të mirë” me udhëheqësin koreanoverior Kim Jong Un, por i bëri thirrje atij të përmbushë angazhimet e ndërmarra për çnuklearizimin.

Presidenti Trump gjithashtu tha se Kim-it “i pëlqen të lëshojë raketa” dhe shtoi se “prandaj unë e quaj njeriu-raketë”.

Zv.Ministrja Choe tha se nëse komentet e Presidentit Trump në Londër synonin të rikthenin qëllimisht në kujtesë periudhën e dy viteve më parë kur u zhvillua një luftë fjalësh mes dy vendeve, atëherë kjo do të jetë një sfidë shumë e rrezikshme.

Presidenti Trump tha gjithashtu të martën se Shtetet e Bashkuara janë “pa asnjë krahasim, vendi më i fuqishëm në botë dhe të shpresojmë që nuk do të na duhet ta vëmë në përdorim (ushtrinë). Por, nëse do të duhet, do ta përdorim”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG