Një grup kërkimor në Uashington thotë se Koreja e Veriut ka të ngjarë të fillojë punën në një reaktor të plutoniumit, duke shtuar kështu mundësitë për zgjerimin e programit të saj të armëve bërthamore, siç ka deklaruar.
Instituti “SHBA-Kore” në Universitetin Johns Hopkins i bazon konkluzionet e tij në imazhet satelitore të kohëve të fundit që tregojnë një avull të bardhë që del nga një ndërtesë pranë reaktorit në kompleksin kryesor bërthamor të Yongbyon.
Raporti i botuar në blogun e këtij instituti vë në dukje se ngjyra dhe vëlllimi i avullit të konstatuar më 31 gusht nga imazhet e një sateliti komercial tregon se reaktori është në punë.
"Ata po shtojnë aftësinë e tyre bërthamore. Pjesërisht kjo do të thotë se ata po shtojnë materialin dhe armët bërthamore dhe pjesërisht se po përpiqen të vënë në jetë projektet e tyre në kompleksin kryesor dhe ka mundësi që të jenë duke u përgatitur për provën e ardhëshme”.
Zëdhënësi i ministrisë së Mbrojtjes së Koresë së Jugut , Kim Min-Seok nuk e konfirmoi njoftimin sot, por tha se Seuli dhe Uashingtoni po i ndjekin nga afër zhvillimet.
Reaktori u mbyll në vitin 2007 në kuadër të marrëveshjes së ndihmës për çarmatimin. Por në prill, Pheniani paralajmëroi se do të fillonte të gjitha operacionet në Yongbyon për të shtuar forcën bërthamore si në “sasi ashtu edhe në cilësi”.
Pheniani ndërmori provën e tretë bërthamore në muajin shkurt. Kombet e Bashkuara u përgjegjën me saksione të tjera kundër veriut, i cili ndërmori një fushatë kërcënimesh për luftë kundër Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut.
Koreja e Veriut e ka ulur retorikën e luftës që prej atëhere dhe për më tepër ka sugjeruar se do të fillojë bisedimet gjashtë palëshe të braktisura që nga viti 2009. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara thonë se nuk do t’i fillojnë bisedimet nëse Feniani nuk tregon gatishmëri për ndërprerjen e programit të saj të armëve bërthamore.