Lidhje

Koronavirusi, shpërthim në një qytet të Koresë së Jugut


Daegu, Kore e Jugut

Rrugët e qytetit të katërt më të madh të Koresë së Jugut u boshatisën të enjten, pas njoftimit se dhjetëra njerëz ishin infektuar me koronavirus në një kishë, diçka që autoritetet e përshkruan si një "episod përhapjeje në masë."

Qendrat tregtare dhe kinematë e shkretuara të qytetit Daegu me 2.5 milion njerëz, u bënë ndër pamjet më tronditëse jashtë Kinës të qyteteve të prekura nga shpërthimi i koronavirusit, që autoritetet ndërkombëtare po përpiqen të mos e lejojnë të bëhet një pandemi globale.

Hulumtimet e reja që thonë se virusi është më ngjitës se sa mendohej më parë, e kanë shtuar alarmin. Ndërkaq në Kinë, ku virusi ka vrarë më shumë se 2.100 njerëz dhe ka infektuar afro 75,000, zyrtarët ndryshuan metodologjinë për raportimin e infeksioneve, duke krijuar dyshime të reja në lidhje me të dhënat që ata i përmendin si dëshmi se strategjia e tyre po funksionon.

Në Korenë e Jugut, kryetari i bashkisë Daegu, Kwon Young-jin u tha banorëve të qëndrojnë brenda, pasi 90 njerëz që shkonin në Kishën e Jezusit, Tempullin e Tabernakullit të Dëshmisë shfaqën simptoma të infeksionit dhe u konfirmuan dhjetëra raste të reja.

Kisha frekuentohej nga një grua 61-vjeçare që u testua pozitive, e njohur si "Pacientja 31." Qendrat e Koresë për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve e përshkruan shpërthimin në Daegu si një "episod përhapjeje në masë."

"Jemi në një krizë të paprecedent," u tha zoti Kwon gazetarëve, duke shtuar se të gjithë anëtarët e kishës do të testohen. "U kemi kërkuar atyre të qëndrojnë në shtëpi të izoluar nga familjet," tha ai.

Duke përshkruar rrugët e braktisura, banori Kim Geun-woo, i tha agjencisë Reuters përmes telefonit: "Këtu është sikur dikush të ketë hedhur një bombë në mes të qytetit. Duket si një apokalips".

Koreja e Jugut ka tani 104 raste të konfirmuara me koronavirus dhe ka raportuar vdekjen e parë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG