Lidhje

Kosovë, 14 të vdekur dhe 2 mijë 541 të prekur nga COVID-19


Kosovë, 14 të vdekur dhe 2 mijë e 541 raste të reja me COVID-19
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:08 0:00

Në Kosovë autoritetet thanë se 14 veta kanë humbur jetën në 24 orët e fundit nga pasojat e COVID-19.

Sipas ministrisë së Shëndetësisë në 24 orët e fundit janë konfirmuar 2 mijë e 541 raste të të prekurve nga koronavirusi, që është dita me numrin më të madh të të infektuarve gjatë këtij viti.

Sipas të dhënave të përpunuara nga Zëri i Amerikës, vetëm gjatë 25 ditëve të muajit gusht janë regjistruar më shumë se 26 mijë raste të reja të të prekurve ndërsa 104 veta kanë humbur jetën nga pasojat e COVID-19.

Infektimet janë shtrirë gjithandej Kosovës dhe shifrat e ditëve të fundit e bëjnë gushtin një nga muajt më të rëndë që nga shpërthimi i pandemisë në mesin e muajit mars të vitit të kaluar.

Ajo që bie në sy gjatë ditëve të fundit është se më të prekurit janë të moshave 20 deri në 39 vjeç, që përbën afër 40 për qind të infektuarve ditorë. Në këtë valë të infektimeve nuk po kursehen as fëmijët e grupmoshës nga 0 deri 9 vjeç, ku vetëm sot janë regjistruar 52 raste të reja.

Rritja e hovshme e numrit të infektimeve po sfidon edhe mundësitë e sistemit shëndetësor të vendit. Në muajin korrik në spitalet që trajtojnë rastet me COVID-19 në Kosovë ishin të shtrirë më pak se 100 të infektuar, ndërkaq dje sipas Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar në këto spitale ishin të shtrirë 902 pacientë të konfirmuar me COVID-19, prej të cilëve 797 me oksigjeno-terapi ndërsa 37 në gjendje të rëndë shëndetësore.

Autoritetet thonë se pjesa më e madhe janë të prekur nga varianti ngjitës Delta i koronavirusit dhe po bëjnë thirrje për vaksinim në masë.

Autoritetet thonë se synimi i tyre është që deri në fund të vitit të vaksinohen 60 për qind e 1 milionë e 260 mijë qytetarëve të moshës mbi 18 vjeç.

Deri sot në Kosovë 255 mijë veta janë vaksinuar me dy doza apo 20 për qind e personave të moshës 18 vjeç e lart, ndërsa në tërësi janë vaksinuar 505 mijë qytetarë apo 40 për qind e moshës madhore.

Përkeqësimi i situatës me COVID-19 ka bërë që Departamenti amerikan i Shtetit të përfshijë Kosovën në zonën e kuqe dhe të këshillojë qytetarët amerikanë që të “mos udhëtojnë” në Kosovë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG