Lidhje

Kosovë, ngacmimet seksuale dhe pasojat e tyre


Kosovë, ngacmimet seksuale dhe pasojat e tyre
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:48 0:00

Në Kosovë vetëm në katër muajt e parë të këtij viti janë regjistruar 21 raste të sulmeve seksuale dhe 20 raste të ngacmimeve seksuale.

Ndërsa në vitin 2020, sipas të dhënave zyrtare të policisë, ishin regjistruar 56 raste të sulmeve seksuale dhe 48 raste të ngacmimeve seksuale.

Adelina Berisha, nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës, i tha Zërit të Amerikës se këto të dhëna nuk pasqyrojnë gjendjen reale, pasi gratë dhe vajzat që kryesisht janë pre e ngacmimeve të tilla, hezitojnë t’i raportojnë ato.

Fatkeqësisht, prej hulumtimeve edhe të Rrjetit por edhe të organizatave të tjera si OSBE-ja, del se diku vetëm rreth 2 për qind e ngacmimeve seksuale janë raportuar. Pra kur janë pyetur qytetarët se sa kanë përjetuar dhe sa kanë raportuar, atëherë del se ta zëmë te gratë dhe vajzat, ato kanë përjetuar 60 për qind kanë përjetuar dhe vetëm 2 për qind janë të raportuara në institucione tregon që as majën e akullnajës nuk e paraqet ky raportim realitetin se sa i shpeshtë është ngacmimi seksual”, tha ajo.

Me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, i cili hyri në fuqi në prill të vitit 2019, ngacmimi seksual llogaritet vepër penale e dënueshme me gjobë ose burgim deri në pesë vjet.

Sipas këtij Kodi, “Ngacmimi seksual nënkupton cilëndo formë të sjelljes së padëshiruar verbale, joverbale ose fizike të natyrës seksuale, me qëllim të cenimit të dinjitetit apo që cenon dinjitetin e personit, dhe krijon një mjedis i cili është objektivisht frikësues, armiqësor, degradues ose poshtërues”.

Por, zonja Berisha thotë se ka një kulturë mosndëshkueshmërie të kësaj vepre.

Prej hulumtimeve që i kemi bërë në të kaluarën e kemi vërejtur se ta zëmë në rastet kur ka ndodhë nëpër shkolla, mësimdhënësit nuk është se janë ndëshkuar, ka ndodhur dënim të jetë zhvendosja nga një shkollë në tjetrën. E gjitha kjo tregon se në njëfarë forme si shoqëri po e tolerojmë ngacmimin prandaj edhe është kaq i shpeshtë. Pastaj kjo po çon edhe në vepra më të rënda siç i kemi parë rastet e fundit, sulme seksuale, dhunime seksuale e të tjera”, thotë ajo.

Psikologu, Dorjan Krasniqi, thotë se ka disa faktorë që e nxisin këtë dukuri, e ndër to edhe ekspozimi i fëmijëve dhe të rinjve ndaj teknologjisë.

Tashmë me përparimin e teknologjisë qasja ndaj këtyre imazheve është bërë shumë e lehtë dhe një moskontroll nga rrethi shoqëror se çfarë po shikojnë ata, mund të sjellë deri te një modelim i tyre nga ajo se çfarë shohin dhe atë sjellje ta transferojnë në realitet sepse ata shpesh as nuk e dinë se çfarë kjo sjellje i kushton tjetrit në jetën e tij. Pra shpesh nuk i dinë pasojat por vetëm e modelojnë si sjellje”, thotë zoti Krasniqi.

Ai thotë se pasojat e ngacmimeve dhe sulmeve seksuale janë të rënda dhe se kërkohet angazhim i rrethit familjar, shoqëror por edhe institucional për t’i trajtuar ato.

Kjo besoj që sjell shumë dëme te personi i cili e përjeton këtë. Dëmet më të mëdha mund të jenë në shëndetin mendor, për shembull stresi posttraumatik, të ketë ankth, të ketë mbyllje dhe të tjera elemente si ulja e vetëbesimit, ndalja e kontaktit me të tjerët dhe kështu me radhë”, thotë ai.

Ditëve të fundit në mediat lokale në Kosovë u raportua për disa raste të sulmeve seksuale, njëra ndër ta ndaj një të miture në oborrin e një shkolle fillore në kryeqytet. Këto zhvillime nxitën reagime të shumta dhe protesta të nxënesve në Prishtinë.

Zonja Berisha dhe zoti Krasniqi, thonë se me një përgatitje të mirë, edukata seksuale duhet të futet si lëndë mësimore në shkollat e Kosovës. Ndërkaq, krahas kësaj sipas tyre prindërit duhet të punojnë më shumë në ndërgjegjësimin e fëmijëve që nga mosha e hershme mbi ngacmimet seksuale dhe pasojat e tyre.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG