Një raport i misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit thekson se institucionet e drejtësisë në Kosovë janë përballur me vështirësi gjatë pandemisë në përpjekjen që të vendosin një barazpeshë ndërmjet zbatimit të ligjit në njërën anë dhe mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve.
Raporti përfshinë periudhën një-vjeçare nga marsi i vitit të kaluar kur edhe filloi pandemia. Shef i vëzhgimit në misionin e Eulex-it, Hubert van Eck Koster tha se vështirësitë kryesore të institucioneve të drejtësisë ishin mbrojtja e të drejtave themelore të njeriut dhe sundimi i ligjit.
"Autoritetet gjyqësore janë përballur me një sfidë të paparë për të siguruar që gjykimet të mbeten publike, si një parim themelor i gjykimit të drejtë, ndërsa në të njëjtën kohë të garantojnë që sallat e gjyqit janë të sigurta duke ditur që po vazhdon pandemia”, tha ai.
Raporti thekson se institucionet e drejtësisë, shërbimet korrektuese të Kosovës, si dhe qeveria e re duhet të shfrytëzojnë rastin për të shqyrtuar se si është menaxhuar kriza deri më tani dhe të nxjerrin mësime për të ardhmen.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skender Çoçaj, tha se viti 2020 do të mbahet në mend si vit që pengoi punën në sistemin e drejtësisë në vend.
“Një ndër problemet më të mëdha gjatë pandemisë që jemi përballë ka qenë vështirësia apo pamundësia e mbajtjes së seancave gjyqësore, ju e dini natyrën e gjykimeve që mbahen dhe gjithashtu e dimë që në bazë të legjislacionit në fuqi në rast se nuk janë prezentë të gjitha palët e domosdoshme atëherë një seancë gjyqësore nuk mund të mbahet dhe të gjithë e dimë çfarë vështirësi ka pas gjatë pandemisë për lëvizjen e njerëzve apo pjesëmarrjen e njerëzve në seanca gjyqësore”, tha ai.
Zyrtarë të institucioneve të drejtësisë thanë se pandemia ka vështirësuar edhe punën e pjesëtarëve të personelit pasi një numër i lartë i tyre ishte prekur nga koronavirusi gjë që ka kushtëzuar edhe shtyrjen e rasteve gjyqësore.
Shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark tërhoqi vëmendjen se gjatë pandemisë pati shtim të rasteve të dhunës në familje.
“Ka çështje sistematike që posaçërisht duhet të mbeten në radarin tonë, për shembull, një rritje e rasteve të dhunës në familje është një shqetësim serioz, veçanërisht gjatë periudhës së bllokimit total”, tha ai.
Raporti i misionit të EULEX-it u rekomandon institucioneve të drejtësisë që të sigurohen të gjitha masat për të lehtësuar pjesëmarrjen e publikut në seanca por duke kufizuar praninë e tij në sallat e gjyqit dhe trajtim më të kujdesshëm ndaj grupeve më të ndjeshme të popullsisë.
Facebook Forum