Lidhje

Privatizimi i shpërndarjes së energjisë në Kosovë


Shpallet oferta më i mirë për privatizimin e sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike

Autoritetet në Kosovë shpallën sot firmat turke Limak e Calik, si ofertues më të mirë për privatizimin e sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike në Kosovë. Ata thanë se ofertuesi më i mirë është ai me të cilin do të fillojnë edhe negociatat për kontratën.

Firmat turke Limak e Calik kanë ofruar 26.3 milion euro për privatizimin e këtij sektori, ndërsa kompania tjetër nga Egjipti, Elsewedy Electric ofroi 22.8 milionë euro.

Zyrtarë të qeverisë thonë se me këtë hap synojnë që të përmisojnë gjendjen me furnizim të energjisë elektrike në Kosovë, i cili vazhdon të jetë ende në gjendje të vështirë dhe kjo po zgjat që nga përfundimi i luftës.



Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, tha se është interes themelor i Kosovës që të ketë energji të sigurt për furnizim të qytetarëve dhe të përballueshme për kushtet e tyre ekonomike.

“Siguria e furnizimit me energji elektrike për qytetarët e Kosovës, siguria me tarifa të përballueshme për kushtet ekonomike të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht ky proces i reformave shkon në harmoni të plotë me trajtimin e niveleve më të larta ndërkombëtare, problemet ambientale të cilat Kosova po i respekton dhe janë pjesë e këtij transaksioni”, tha ai.

Ministri Beqaj tha se janë shmangur të gjitha dështimet që janë bërë në proceset e privatizimeve në rajon.

“Qeveria e Kosovës nuk do të subvencionoj humbjet dhe në këtë mënyrë nuk do të ngarkohet buxheti shtetëror dhe konsumatori final. Qeveria e Kosovës nuk ofron garanci shtetërore sikurse nëpër vendet tjera. Rregullatori ka caktuar caqet për reduktimin e humbjeve teknike dhe atyre komerciale për periudhën gjatë vjeçare dhe duke realizuar këtë transaksion, sot ne do të arrijmë edhe një standard të lart dhe ajo është ndarja e Korporatës Energjetike të Kosovës sipas standardeve të Bashkimit Evropian”, tha ministri Beqaj.

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar edhe shpalljen e tenderit për ndërtimin e Termocentralit të ri për prodhimin e energjisë elektrike nga qymyri linjit. Organizata të shoqërisë civile ndërkaq kundërshtojnë përshpejtimin e këtij procesi duke kërkuar zgjidhje në prodhimin e energjisë elektrike nga burime të tjera.

Deri në zgjidhjen e çështjes së sigurimit me energji të mjaftueshme, vendi do të vazhdojë të përballet me vështirësi dhe të varet nga prodhimi i termocentraleve të vjetra që nuk sigurojnë dot energji të mjaftueshme për vendin, janë të dëmshëm për mjedisin dhe detyrojnë qeverinë të investojë në importe të shtrenjta.
XS
SM
MD
LG