Lidhje

Kosova, BE-ja dhe bisedimet për çështjet praktike me Beogradin


Kosova, BE-ja dhe bisedimet për çështjet praktike me Beogradin
Kosova, BE-ja dhe bisedimet për çështjet praktike me Beogradin

Kosova përgatitet për zgjedhje të jashtëzakonshme ndërkohë që qeveria e re do të përballet me mundësinë e bisedimeve për të ashtuquajtura çështje praktike me Beogradin. Por disa analistë, si vëzhguesi i Ballkanit, James Pettifer, mendojnë se bisedime të tilla mund të shoqërohen me rreziqe dhe qeveria e Kosovës mund të mos jetë e përgatitur.

Nën trysninë e perëndimit, Serbia ka rënë dakord për dialog të hapur me Kosovën por vazhdon me këmbëngulje të mos e njohë pavarësinë e saj.
Historiani dhe analisti James Pettifer, është autor i disa librave për Ballkanin dhe thotë se është duke shkruar një histori të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai mendon se bisedime të tilla përveçse i rrisin Serbisë legjitimitetin dhe imazhin në komunitetin ndërkombëtar, shoqërohen me rreziqe.

“Qeveria e Kosovës nuk është sa duhet e qartë për rreziqe të tilla. Sepse është e lehtë të fillosh të bisedosh për këto gjëra por pastaj mund të vihesh përpara trysnisë për të biseduar mbi diçka tjetër.”

Prishtina dhe Beogradi kanë qenë angazhuar edhe në të kaluarën në të ashtuquajtura bisedime për çështje praktike, siç ka qenë problemi i personave të zhdukur por pa sukses. Megjithatë, çështje më të thjeshta praktike si ajo e targave të automjeteve, mund të ishin zgjidhur me kohë edhe pa bisedime, por Beogradi nuk është treguar i gatshëm.
Udhëheqësit e Kosovës, duke përfshirë kryeministrin Thaçi, nuk kanë paraqitur deri tani argumente se përse këto lloj bisedimesh mund të jenë të suksesshme.

Ndërkaq, evropianët nuk po arrijnë të flasin me një zë të vetëm për Kosovën. Pesë vende të Bashkimit Evropian ende nuk e njohin sovranitetin e shtetit të ri dhe çështja që shtrohet është se, a mundet që në këto kushte, Bashkimi Evropian të ketë rol udhëheqës në këto bisedime?
“Çështja më e madhe këtu është nëse Bashkimi Evropian mund të verë rregull në shtëpinë e vet pra që çdo vend i tij pa përjashtim ta njohë Kosovën e pavarur. Nëse nuk e bëjnë dot këtë, ata nuk mund të kenë rol drejtues në këto bisedime,” thotë Profesor Pettifer.

Por çfarë roli mund të luajnë Shtetet e Bashkuara?

Administrata amerikane është e zënë me shumë probleme të pazgjidhura në botë dhe Sekretarja e Shtetit ka një punë mjaft të vështirë, por sipas profesorit Pettifer, Amerika mund të luajë një rol të posaçëm në këtë aspekt:
“Shtetet e Bashkuara duhet ta bëjnë të qartë se pavarësia e Kosovës duhet të njihet nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian përpara se BE-ja të fillojë të luajë një rol kryesor, përndryshe nuk do të bëhej gjë tjetër veçse do të përkëdhelej Serbia.”

Mes zyrtarëve ndërkombëtarë duket se ekziston ideja se sa më shumë bisedime të tilla për çështje praktike të zhvillohen, aq më tepër do të harrohen problemet e mëdha, siç është mosnjohja e sovranitetit të Kosovës nga Serbia.


Ndërkohë, një tjetër problem i madh është veriu i Kosovës, i cili vazhdon të jetë jashtë kontrollit të Prishtinës.

“Bashkimi Evropian po zbaton standarde të dyfishta sepse asgjë nuk thuhet për rolin e Beogradit në destabilizimin e Kosovës veriore, ose për strukturat paralele dhe rolin e qeverisë serbe në aktivitete të ndryshme atje. E gjitha kjo është lejuar dhe në këtë mënyrë, sundimi i ligjit kërcënohet.”


Nuk është e qartë nëse Bashkimi Evropian ka një plan konkret për atë se çfarë mund të përmbajnë bisedimet e ardhshme për çështjet praktike, por nëse ekziston, të paktën deri tani asnjë plan i tillë nuk është bërë publik.

XS
SM
MD
LG