Lidhje

Dokumentar për krimet në Kosovë


Në Uashington u shfaq më 3 mars filmi “Të paidentifikuarit”, rezultat i punës dyvjeçare të një gazetareje nga Serbia, e cila ka mundur të mbledhë dëshmi të paraushtarakëve serbë, që morën pjesë në krime gjatë konfliktit të Kosovës në vitin 1999. Në një diskutim pas shfaqjes, u fol edhe për rastin e tre vëllezërve Bytyçi, tre shqiptaro-amerikanëve që shkuan në Kosovë për të luftuar dhe u vranë nga forcat serbe. Megjithë premtimet, autoritetet e larta në Serbi ende nuk i kanë shkuar deri në fund të vërtetës lidhur me zyrtarët që urdhëruan vrasjen e tyre.

"Të paidentifikuarit"- film për krimet në Kosovë
please wait

No media source currently available

0:00 0:07:17 0:00

Filmi dokumentar “Të Paidentifikuarit”, na kthen në vitin 1999 në disa fshatra rreth Pejës, ku paraushtarakë serbë vranë më shumë se 118 shqiptarë. Trupat e tyre ose u dogjën, ose u zhvendosën dhe një pjesë e tyre u gjet dy vjet më vonë në disa qendra të trajnimit policor në Serbi.

Gazetarja dhe regjisorja nga Serbia, Maria Ristic, është përpjekur shumë për të marrë dëshmi nga paraushtarakët serbë që u sollën para gjyqit për rastin në fjalë, mes tyre një dëshmitar i mbrojtur dhe një tjetër i akuzuar për krime.

“Secili prej dëshmitarëve kishte interesin e tij personal. Për shembull, dëshmitari i mbrojtur dëshironte që historia e tij të dëgjohej nga të tjerët, sepse kjo ishte arsyeja kryesore që ai doli të dëshmonte. Personi tjetër, ndaj të cilit u ngritën akuza për krime, kishte si qëllim të tregonte se ai nuk ishte i vetmi që duhej të mbahej përgjegjës,”- thotë Ristic.

Shfaqja e këtij filmi, i realizuar nga rrjeti i gazetarisë investigative BIRN, u organizua nga Komisioni Tom Lantosh i të Drejtave të Njeriut dhe heton disa prej krimeve më të egra dhe të pazgjidhura gjatë luftës së Kosovës.

Gazetarja Ristic ka sjellë në dokumentar edhe dëshmi nga civilë shqiptarë që u bënë viktima të krimeve.

Diane Orentlicher, profesore e Universitetit Amerikan, është ndër ekspertet më të njohura për gjykatat e krimeve të luftës:

“Mendoj se Maria Ristiç ka bërë një film jashtëzakonisht të rëndësishëm që do të ketë një audiencë të gjerë, sepse ai përmban dëshmi të drejtpërdrejta lidhur me disa krime shumë të rëndësishme që ndodhën në Kosovë, të cilat ngritën shumë çështje bashkëkohore. Shpresoj se do të ketë gjithnjë e më shumë njerëz që do t’i shohin ato dhe do të flasin për to,”- thotë ajo.

Në diskutimin me rastin e shfaqjes së filmit, ishte edhe Fatos Bytyçi, vëllai i Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçit, shtetas amerikanë të ekzekutuar në Serbi:

“Çështja e vëllezërve është një prioritet midis dy shteteve, qeverisë amerikane dhe asaj të Serbisë. Besoj se do të kemi sukses në zgjidhjen e këtij rasti. Kemi premtime të mëdha prej qeverisë amerikane dhe prej Kongresit. Besojmë se do të ndriçohet rasti.”

Por Kryeministri serb Vucic nuk i ka mbajtur premtimet që u ka dhënë zyrtarëve më të lartë amerikanë për zgjidhjen e shpejtë të çështjes Bytyçi. Një nga të dyshuarit kryesorë, Goran Radosavljevic, vazhdon të jetë anëtar i rëndësishëm i partisë së kryeministrit Vucic dhe të Presidentit Tomislav Nikolic:

“Çështja Bytyçi ka mbështetje në qarqet e larta të qeverisë amerikane. Kongresi amerikan ka një rezolutë për këtë çështje. Ne kemi bërë trysni sa kemi mundur dhe zyrtarët e lartë të Serbisë e pranojnë se fjala është për një akt kriminal. Por disa njerëz në Serbi mund të kenë mbrojtje brenda sistemit. Kjo ndoshta do të kërkojë trysni të vazhdueshme dhe ne nuk do të tërhiqemi, në mënyrë që drejtësia të fitojë,” tha Robert Hand, i cili drejtoi edhe diskutimin e mbrëmshëm.

Maria Ristic: “Mendoj se çështja Bytyçi nuk po zgjidhet sepse njerëzit që e bënë këtë krim ose që janë të përfshirë, janë ende në pozita të larta në Serbi dhe shumë të afërt me qeverinë. Arsyeja tjetër është se në fazën e procesit gjyqësor fillestar ka patur mjaft frikësime të dëshmitarëve, prandaj mendoj se dëshmitarët nuk ndihen të sigurtë për të folur mbi atë që ndodhi në Petrovo Sello, ku u vranë vëllezërit Bytyçi.”

Gjatë diskutimit u ngrit çështja që edhe një gazetar në Kosovë të bëjë një film të ngjashëm ku të flitet për krimet e kryera nga shqiptarët kundër serbëve.

Gazetarja Ristic tha se një pyetje të ngjashme ia kanë bërë edhe asaj:

“Së shpejti do të ketë një gjykatë të re për krimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që shumë njerëz e shohin si të pajustifikuar, nëse krahasohet niveli i krimeve të ushtrisë serbe me ato të UÇK-së. Unë përgjithësisht kurrë nuk bëj krahasime mes krimeve. Unë mendoj se çdo krim është diçka e tmerrshme dhe duhet të ndiqet penalisht. Unë bëra një film për kriminelët që kryen krime dhe ende shëtisin të lirë.”

Vlora Çitaku, ambasadore e Kosovës në SHBA, tha se mes krimeve nuk mund të vihet shenja e barazimit:

"Krime u bënë nga të gjitha palët e përfshira. Por ekziston një ndryshim i madh mes krimeve të nxitura nga shteti dhe akteve individuale. Ajo që kishim në rastin e Serbisë, ishte një krim i mbështetur nga shteti. Jo vetëm në Kosovë, por edhe në Bosnje dhe Kroaci dhe ishte e njëjta infrastrukturë institucionale, e njëjta udhëheqje. Kjo do të ishte sikur të krahasonim krimet e rezistencës franceze me krimet e nazizmit.”

Ariton Ismajli nga Kosova banon në Uashington. Ai ka humbur disa pjestarë të familjes gjatë konfliktit:

"Ne e dimë se në të gjithë botën ka krime; krime ka edhe këtu në Uashington. Por më vjen mirë që dikush ngrihet dhe ngul këmbë që ato krime të dënohen, pavarësisht se ku ndodhin dhe sa larg ndodhin. I jam gjithashtu mirënjohës qeverisë së Shteteve të Bashkuara, e cila nga ana tjetër e botës ngrihet të kërkojë drejtësi për gjëra të tilla. Nuk ishin gjëra dosido, por ishin ngjarje shumë brutale,”- tha ai.

Filmi të “Paidentifikuarit” është planifikuar të shfaqet edhe në vende të tjera.

XS
SM
MD
LG