Lidhje

Në Kosovë përfundojnë zgjedhjet e përsëritura në pesë komuna


Në Kosovë përfundojnë zgjedhjet e përsëritura në pesë komuna
Në Kosovë përfundojnë zgjedhjet e përsëritura në pesë komuna

Në Kosovë përfundoi procesi i rivotimit në pesë komuna të vendit, rivotime këto që u kushtëzuan nga parregullsitë e shfaqura në zgjedhjet e 12 dhjetorit. Komisioni qendror i zgjedhjeve pohon se pjesëmarrja ishte e kënaqshme, ndërsa vëzhguesit thanë se ka pasur disa parregullsi që nuk e dëmtojnë procesin e zgjedhjeve.

Në Kosovë sot po zhvillohen votime në pesë komuna të vendit, që pasuan parregullsitë e shfaqura në zgjedhjet e përgjithshme të 12 dhjetorit. Rreth 140 mijë votues janë detyruar të hedhin sërish votat e tyre ne 62 qendra votimi me 185 vendvotime në Drenas. Skenderaj, Deçan. Malishevë e Lipjan.

Gjatë tërë ditës, votimet u ndoqën nga një numër i konsiderueshëm i vëzhguesve vendas e ndërkombëtarë, ndërsa përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian dhe njëherësh shef i zyrës civile ndërkombëtare, Pieter Faith bashkërendoi “Misionin e Vëzhgimit të Zgjedhjeve”, për të parandaluar përsëritjen e parregullsive.

Ai ka tërhequr vërejtjen se udhëheqësit politikë të Kosovës kanë përgjegjësi të veçantë për të parandaluar mashtrimet dhe kërcënimet. Përfitimi afatshkurtër në llogari të imazhit ndërkombëtar të Kosovës është i pamatur në veçanti në kohën kur Kosovës i nevojitet përkrahje e mëtejme ndërkombëtare dhe evropiane.

Zgjedhjet po përcillen edhe nga rreth 500 vëzhgues të koalicionit të organizatave joqeveritare Demokracia në Vëzhgim. Vëzhguesit e kësaj organizate thonë se edhe sot janë shënuar parregullsi siç janë votimet e hapura dhe ato familjare, ndërsa sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve parregullsitë nuk janë të asaj natyre që mund të dëmtojnë procesin në përgjithësi.

Pjesëmarrja në votime vlerësohet e kënaqshme. Në zgjedhjet e 12 dhjetorit të vitit të kaluar, morën pjesë 47 për qind e një milion e 600 mijë votuesve të regjistruar.

Votimet e sotme nuk shënojnë fundin e procesit të zgjedhjeve. Gjykata e Lartë e Kosovës ka marrë vendim për përsëritjen e zgjedhjeve në një numër të konsiderueshëm të vendvotimeve në komunën e Mitrovicës. Por as rivotimet e sotme dhe as ato që pritet të mbahen në Mitrovicë, nuk pritet të ushtrojnë ndikim të madh në rezultatin e deritashëm të zgjedhjeve, të cilat i ka fituar Partia Demokratike e Kosovës, por ato mund të ndikojnë në radhitjen e deputetëve të parlamentit 120 vendesh të Kosovës.

Por, rivotimi në Mitrovicë, do të ndikojë në procesin e krijimit të qeverisë së re të Kosovës. Zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, thonë se për shkak të këtyre rivotimeve, procesi zgjedhor vështirë se mund të përfundojë para muajit shkurt, prandaj muaji mars shihet si periudha më e hershme kur Kosova mund të krijojë institucionet e dala nga këto zgjedhje.

Zgjedhjet e 12 dhjetorit, parregullsitë e të cilave po riparohen këtë vit, janë të parat që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008 dhe të parat që organizohen në tërësi nga institucionet e vendit. Si të tilla dhe duke qenë të parat të parakohshme, ato janë cilësuar si një sprovë për qëndrueshmërinë e shtetit të ri.

XS
SM
MD
LG