Lidhje

Hyseni: Jetike ruajtja e karakterit laik të shtetit


Skënder Hyseni Kosovo interior minister
Skënder Hyseni Kosovo interior minister

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Skënder Hyseni, i tha Zërit të Amerikës se vendi i tij nuk ka qenë sa duhet i vemendshëm në të kaluarën ndaj rrezikut të ekstremizmit. Ndërkohë, tha ai, qeveria dhe shoqëria civile po vepron me agresivitet kundër këtij rreziku. Zoti Hyseni ishte këto ditë në Uashington për takime me zyrtarë amerikanë dhe u intervistua nga kolegu Ilir Ikonomi. Ai foli edhe për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, që kanë krijuar një situatë të bllokuar.

Intervistë me Ministrin e Brendshëm të Kosovës, Skënder Hyseni
please wait

No media source currently available

0:00 0:08:32 0:00

Zëri i Amerikës: Zoti Hyseni, ju keni qenë në Uashington, keni patur takime me zyrtarë amerikanë dhe tema kryesore ka qenë lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm. Cilat janë zotimet që Kosova ka marrë në këtë fushë?

Ministri Skënder Hyseni: Vizita ishte shumë dimensionale. Natyrisht, ka qenë në thelb të bisedave çështja e radikalizmit, ekstremizmit të dhunshëm, terrorizmit, por gjithsesi, në të gjitha takimet, që kanë qenë të shumta është trajtuar çështja e bashkëpunimit bilateral, përkatësisht forcimit të partneritetit strategjik midis SHBA dhe Kosovës në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit. Dhe në këtë kuadër kemi nënshkruar me FBI (Byronë Federale të Hetimeve), përkatësisht me laboratorin e forensikës së FBI, një memorandum bashkëpunimi e që në esencë është marrëveshje për bashkëpunim të ngushtë në fushën e forensikës. Kosova do të përfitojë shumë nga kjo, sidomos do të përfitojë në ato fusha që lidhen me ekstremizmin, radikalizmin dhe terrorizmin.

Zëri i Amerikës: Nga takimet që keni patur me zyrtarët amerikanë, a kanë shprehur ata shqetësim për kërcënimin që mund të përbëjnë lëvizjet radikale, fetare për Kosovën?

Ministri Skënder Hyseni: Zyrtarët amerikanë kanë shprehur shqetësimin e përgjithshëm për kërcënimet dhe kanosjet që përmban terrorizmi global për shoqëritë e lira e demokratike të botës, ndërkohë që kanë vlerësuar tepër lart të arriturat e Kosovës dhe progresin që Kosova ka bërë në konfrontimin me ekstremizmin e dhunshëm, terrorizmin dhe luftëtarët e huaj. Kjo është vlerësuar lart nga bashkëbiseduesit e mi amerikanë dhe absolutisht në Departamentin e Drejtësisë është thënë se vendet e rajonit dhe shumë vende të Evropës mund të mësojnë shumë nga mënyra si Kosova i është qasur këtij problemi. Çështja e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm në afat të gjatë do të arrihet dhe do të gjindet vetëm kur të mposhtet ISIS përfundimisht.

Zëri i Amerikës: Dakord, por ju si ministër, ju vetë si mendoni, çfarë kërcënimi përbëjnë lëvizjet radikale, fetare për Kosovën?

Ministri Skënder Hyseni: Për Kosovën është jetike që të ruhet karakteri sekular i shtetit të Kosovës, i shoqërisë së Kosovës që është definuar edhe me kushtetutë si i tillë. Kosovën e shquan prirja për tolerancë dhe mirëkuptim ndërfetar. Shqiptarët i shquan kjo në përgjithësi dhe asnjëherë shqiptarët nuk kanë ushqyer, ose predikuar, ose indoktrinuar në drejtim të mostolerancës fetare.

Zëri i Amerikës: Sa është numri, sipas jush, i njerëzve që kanë shkuar të marrin pjesë në luftrat e Lindjes së Mesme nga Kosova?

Ministri Skënder Hyseni: Në të gjitha fazat e krizave në Lindjen e Mesme, sidomos në Siri, nga Kosova kanë marrë pjesë rreth 320 luftëtarë, të ashtuquajtur luftëtarë të huaj.

Zëri i Amerikës: Me sa dini ju, sepse mund të ketë edhe luftëtarë të tjerë...

Ministri Skënder Hyseni: Ne po flasim për të gjitha fazat. Me sa dimë ne dhe ju siguroj që ne dimë pothuaj 99%, sepse ia kemi dalë të identifikojmë secilin gati, pothuaj. Ndërkaq, aktualisht në Siri ka rreth 70 qytetarë të Kosovës. Prej gjithë këtyre, që në faza të ndryshme kanë marrë pjesë në konflikt, janë deri më tani të regjistruar rreth 56 që kanë humbur jetën. Se si e kanë humbur jetën, për asnjë kauzë, për një kauzë kurrëfare, kjo mbetet të shihet. Sido që të jetë, Kosova ka bërë shumë edhe në ndërgjegjësimin e popullatës, të qytetarëve të Kosovës kundër radikalizimit, duke bërë fushata të ndryshme të vetëdijesimit kundër dhunës mbi baza fetare, duke bërë fushata të ngritjes së vetëdijes për edukimin kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Zëri i Amerikës: Zoti Hyseni, ka disa kritikë që thonë se Kosova për një kohë të gjatë e ka fshehur problemin, ka toleruar shoqata të ndryshme, që nën petkun e veprimtarive humanitare kanë punuar në fakt për rekrutimin e personave, për t’i dërguar në Lindjen e Mesme...

Ministri Skënder Hyseni: Mund të pajtohem deri diku, që nuk kemi qenë sa duhet të vëmendshëm si shoqëri. Nuk do të thoja që është injoruar qëllimisht, ose me sistem. Po që nuk kemi qenë të vëmendshëm sa duhet, pajtohem plotësisht. Ndërkohë që veprimet që kemi bërë gjatë dy viteve të fundit, të gjitha flasin për një “agresivitet”, shkurtimisht po e them, shumë pozitiv të qeverisë, të pushtetit, të shoqërisë civile, të gazetarëve, për të parandaluar radikalizimin e shoqërisë sonë; dhe si rezultat i kësaj, ne sot kemi një gjendje të shkëlqyeshme në këtë rrafsh.

Zëri i Amerikës: Në qoftë se një qytetar i Kosovës, kapet dhe arrestohet për shembull në Turqi, nën dyshimet që do të shkojë në Lindjen e Mesme, çfarë ndodh me të?

Ministri Skënder Hyseni: Ai njeri arrestohet dhe ne kemi patur disa raste gjatë kohëve të fundit, në bashkëpunim me policinë turke; kemi arrestuar dhe i kemi kthyer në Kosovë disa të rinj dhe ata janë aktualisht në arrest; janë në burg dhe presin të gjykohen për përpjekje për të shkuar në një luftë të huaj dhe kjo sanksionohet qartë me ligjin tonë, për parandalimin e pjesëmarrjes në luftra të huaja.

Zëri i Amerikës: Zoti Hyseni tani të gjithë po bëjnë pyetjen se si do të zgjidhet kriza politike në Kosovë dhe ndoshta këtë pyetje jua kanë bërë edhe zyrtarët amerikanë. Cili është mendimi juaj?

Ministri Skënder Hyseni: Natyrisht, se e kanë bërë zyrtarët amerikanë dhe kanë një shqetësim të madh tek të gjitha vendet mike, sidomos në Uashington, për zhvillimet në skenën politike në Kosovë. Kjo situatë zgjidhet me dialog në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kjo situatë zgjidhet duke i trajtuar të gjitha çështjet kontestuese në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Duam të flasim për demarkacionin? Përse të mos flasim? Është Kuvendi i Kosovës, që duhet ta ratifikojë në fund të fundit...

Zëri i Amerikës: Por nuk është folur aq sa duhet...

Ministri Skënder Hyseni: Nuk është folur, sepse nuk ka lejuar opozita, me veprimet skajshëm të dhunshme, madje dhe duke hedhur gaz lotsjellës në çdo seancë të Kuvendit të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Hyseni, ndërkohë opozita kërkon zgjedhje të parakohëshme, çfarë të keqe do të kishte në se mbahen këto zgjedhje?

Ministri Skënder Hyseni: Është krejtësisht normale; çdo opozitë në botë kërkon zgjedhje, sa më shpejt zgjedhje dhe të parakohëshme, mirëpo edhe kërkesat duhet të bazohen në substancë dhe në një perspektivë vërtet të prekshme. Nuk mund të kërkosh zgjedhje vetëm sa për të kërkuar zgjedhje; nuk mund të kërkosh zgjedhje, ose të përdorësh dhunë vetëm për të përmbysur pushtetin; ... sepse instalimi i praktikës së përmbysjes së pushteteve përmes dhunës është tepër, tepër e rrerzikshme; dhe në se opozita sot mund të synojë të pëmbysë pushtetin me dhunë, çfarë do të bëjë opozita nesër?

XS
SM
MD
LG