Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, tha sot se takimi i tij me kryeministrin e Serbisë, Ivica Dacic, shënon edhe hapin e parë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Ai i bëri këto komente në Parlamentin e Kosovës, duke raportuar lidhur me takimin e ndërmjetësuar nga shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.
Kryeministri Thaçi tha se ky proces e ka përkrahjen e të gjithë spektrit politik shqiptar dhe atij ndërkombëtarë. Ai vuri theksin tek mbështetja që i dhanë procesit të bisedimeve sekretarja amerikane e shtetit Hillary Clinton dhe zonja Ashton, gjatë qëndrimit të tyre të djeshëm në Kosovë. Sekretarja Clinton kërkoi vazhdimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa kundërshtoi çfarëdo bisedimesh që prekin kufijtë e Kosovës.
Kryeministri Thaçi tha sot në Parlament se kjo ishte një shprehje e mbështetjes së fuqishme për proceset politike në vend.
“Këto mesazhe i kemi të qarta të gjithë ne, sidomos pas vizitës së baroneshës Ashton, sekretares Clinton dhe ministrit britanik Hague. Këto kanë qenë mesazhe të fuqishme të përkrahjes së unitetit politik që e kemi arritur të gjithë ne së bashku në rastin e përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur dhe fillimit të studimit të fizibilitetit si parakusht për liberalizimin e vizave”, tha kryeministri Thaçi.
Ai tha se ka kërkuar nga miqtë ndërkombëtarë që ky proces të jetë i barabartë ndërmjet Kosovës e Serbisë, si dy shtete të pavarura.
“Kemi kërkuar garanci ndërkombëtare që ky proces të jetë i strukturuar dhe krejtësisht i barabartë në nivelin ndër-shtetëror për Kosovën e Serbinë në reciprocitet të plotë politik dhe në hapjen e rrugëve integruese për Kosovën. Përfshirja e thellë dhe e drejtpërdrejt e diplomacive amerikane dhe evropiane na garanton se procesi i dialogut është përkrahje strategjike për Kosovën, për funksionalizimin e plotë, konsolidimin dhe fuqizimin e shtetit të Kosovës”, tha ai.
Kryeministri Thaçi tha se platforma e Prishtinës në këto bisedime do të jenë ligjet dhe kushtetuta e Kosovës, që garanton sovranitetin dhe tërësinë e saj tokësore.
“Ajo që na obligon të raportojmë sot është konfirmimi i qeverisë së Kosovës të çimentuar tani edhe nga qeveritë e shteteve të Quint-it, se Kushtetuta e Republikës së Kosovës do të jetë korniza e vetme operuese gjatë dialogut. Platforma e Kosovës është e qartë dhe e fokusuar dhe miratuar edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Platforma ime, e juaja dhe e Kosovës është Kushtetuta e Kosovës, ligjet e saj dhe rezoluta e Parlamentit të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Thaçi.
Takimi që hapi këtë proces, ndërkaq vazhdon të kundërshtohen ashpër nga lëvizja Vetëvendosje. Shefi i grupit parlamentar i kësaj lëvizjeje Visar Ymeri, tha se bisedimet të tilla çfarë kanë filluar janë të dëmshme për Kosovën.
“Ky është takim kriminal, përveç që është takim kriminal është shumë i rrezikshëm dhe i dëmshëm për Kosovën, për shkak se është takim edhe joparimor, është takim i nisjes së një dialogu politik për Kosovën i cili nuk bazohet në kurrfarë parimi universal të drejtësisë, që nënkupton pra se është takim edhe dialog politik që ia nënshtron Kosovën Serbisë dhe së dyti është edhe takim i cili po zhvillohet pa kurrfarë kushti”, tha zoti Ymeri.
Takimi ndërmjet dy kryeministrave hapi rrugën për bisedime politike dhe përfundimisht e ngriti shkallën e përfaqësimit të të dyja vendeve në këtë proces. Çështja e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është pjesë e kushtëzimeve që u janë bërë të dyja vendeve për përfshirjen në procesin e integrimeve evropiane. Serbisë i është kushtëzuar data e fillimit të negociatave për anëtarësim, ndërsa Kosovës, ajo e fillimit të negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit.
Ky muaj pritet të jetë periudhë e takimit të radhës ndërmjet kryeministrave dhe këtyre planeve u dhanë shtytje edhe vizitat e ditëve të fundit të zyrtarëve të lartë amerikan dhe evropian.