Lidhje

Kosovë: Shtohen rreziqet nga drogat


Kosova, ndonëse shërben më shumë si vend kalimtar për trafikun e narkotikëve, po përballet edhe me shtimin e numrit të përdoruesve të tyre.


Përfaqësues institucionesh e organizatash joqeveritare, thonë se Kosova shërben më shumë si vend kalimtar për trafikun e narkotikëve, por njëkohësisht, po rritet edhe shkalla e përdoruesve të saj brenda Kosovës. Këto komente u bënë në ditën ndërkombëtare të luftës kundër narkotikëve.

Ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi, tha se lufta kundër narkotikëve kërkon bashkërendim jo vetëm brenda Kosovës por edhe me strukturat e sigurisë në rajon.

Kosova gjendet në mes të Ballkanit dhe është pjesë transiti e kanaleve të trafikimit. Mirëpo, viteve të fundit vërehet një rritje e përdorimit të drogave nga ana e popullatës lokale. Në këtë segment, asnjë shtet nuk është imun, andaj edhe kërkohet një bashkëpunim me i thellë i shteteve për të pasur një përgjigje më efektive”, tha ministri Rexhepi.



Drejtuesi i qendrës mediko-psikoterapike, Labirinth, Safet Blakaj, në një bisedë për Zërin e Amerikës, tha se shfrytëzimi i Kosovës si rrugë kalimtare për trafikun e narkotikëve, i shton rreziqet për shtimin e përdorimit të saj.

Kohët e fundit shpeshherë raportohet për drogë të zënë brenda Kosovës dhe që destinacion ka qenë Kosova. Kisha dashur të theksoj se rreziqet janë po ashtu nëse këputen zinxhirët e trafikimit të drogës dhe dilerët që janë të rangut më të ultë, janë shumë agresiv në shpërndarjen e drogës brenda Kosovës”, theksoi ai.

Ndonëse, të gjithë pajtohen se numri i përdoruesve të narkotikëve në Kosovë po shtohet, ende nuk ka të dhëna të sakta rreth tyre. Zoti Blakaj, bënë një krahasim të zhvillimeve të viteve të fundit.

Le t’i referohemi atëherë vitit 2010, kur një grup ekspertësh kanë dhënë të dhëna të përafërta se në Kosovë janë diku prej 3 mijë deri në 5 mijë përdorues problematik të drogës, që do të thotë se janë të varur nga drogat. Natyrisht se ky numër është shumëfish më i madh tek ata që e përdorin drogën, por nuk kanë ende problem me varshmërinë me drogë. Këtyre të dhënave u janë referuar edhe raporti i Departamentit amerikan të shtetit dhe disa raporte të tjera internacionale”, thotë ai.

Zoti Blakaj thotë se ende ka pak angazhim për trajtimin e përdoruesve të narkotikëve, një çështje që kërkon vëmendje. Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani tha ndërkaq se, po bëhen përpjekje për një qasje gjithëpërfshirëse ndaj problemeve të ndërlikuara që i imponon përdorimi i drogave.

Kemi bërë institucionalizimin programit të parë zëvendësues, të ashtuquajturin, “programin e metadonit”, pra zëvendësimit të përdorimit të drogave të rënda, me një substancë kimike e cila e lehtëson procesin e trajtimit të rinjve dhe e zvogëlon dukshëm shkallën e kriminalitetit”, tha ministri Agani.

Që nga janari e deri në fillim të muajit qershor të këtij viti forcat e policisë kanë konfiskuar disa qindra kilogramë narkotikesh të ndryshëm, por ekspertët thonë se lufta kundër kësaj dukurie po bëhet më e rëndë me shfaqjen e narkotikëve të rinj e më pak të njohur në treg.
XS
SM
MD
LG