Lidhje

Zyrtarët amerikanë ripërsëritën kërkesën për pezullim të tarifave ndaj Serbisë


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj thanë të mërkurën se i kanë siguruar dy zyrtarë të lartë amerikanë se Kosova do të ruaj miqësinë me Shtetet e Bashkuara.

Ata i bënë këto komente në njoftime nga zyrat e tyre pas një takimi me zyrtarët e lartë amerikanë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë, John Erath dhe Brad Berkley.

Por, derisa kryeministri Haradinaj nuk e përmendi në njoftim fare çështjen e tarifave ndaj Serbisë. Në njoftimin e zyrës së presidentit Thaçi thuhet se zyrtarët e lartë amerikanë “kanë ripërsëritur qëndrimin e qartë të administratës amerikane që taksa duhet të suspendohet me qëllim që të vazhdojë dialogu dhe përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

“Institucionet shtetërore duhet të ndërmarrin së më shpejt veprime konkrete në përputhje më këshillat miqësore të SHBA-së. Këto vendime duhet të jenë në funksion të ruajtjes dhe forcimit të bashkëpunimit strategjik me SHBA-në dhe me përkushtimin tonë shtetëror për dialog dhe marrëveshje paqësore”,thuhet në njoftimin e zyrës së presidentit të Kosovës.

Zyrtarë të lartë amerikanë po vizitojnë Kosovën
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:20 0:00

Zyrtarët amerikanë qëndruan në Kosovë pas vizitës në Beograd, por nuk kanë bërë komente për takimet e tyre. Zyrtarët serbë thanë se çështja e tarifave dhe bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi ishin në qendër të takimeve.

Qeveria e Kosovës, ndërkaq në një komunikatë thekson se kryeministri Ramush Haradinaj gjatë takimit ka nënvizuar se “Kosova është e gatshme për marrëveshje ligjërisht obliguese që rezulton me njohje reciproke në kufijtë ekzistues dhe Kosovën e 17 Shkurtit 2008. Po ashtu, është e gatshme për marrjen e të drejtave dhe detyrimeve të anëtarësimit në NATO, Kombet e Bashkuara, Bashkim Evropian dhe organizatat tjera ndërkombëtare dhe për marrëdhënie të mira fqinjësore”.

Në komunikatë kryeministri Haradinaj citohet të ketë thënë se “Kosova është e vendosur për tregti të lirë brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe marrëveshja gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese do të përfshijë edhe rregullimin e kapitullit të tregtisë së lirë në mes të Kosovës dhe Serbisë”,thuhet në komunikatë duke nënvizuar se “Kosova i mbetet besnike miqësisë së përhershme dhe bashkërendimit të politikave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Vizita e zyrtarëve amerikanë ndodhi në një periudhë kur janë sfiduar marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara për shkak të refuzimit të Prishtinës që të pezullojë tarifat ndaj mallrave serbe, me gjithë kërkesën amerikane.

John Erath ishte një nga tre zyrtarët e lartë amerikanë që në fillim të këtij muaji përmes një letre paralajmëruan masa të reja ndaj Kosovës nëse ajo nuk pezullon tarifat ndaj mallrave serbe.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës tashmë kanë ndërmarr veprime në shenjë pakënaqësie ndaj qeverisë së Kosovës, për mos pezullimin e tarifave ndaj mallrave serbe.

Procesi i bisedimeve me Serbinë është pezulluar për shkak se Beogradi kushtëzon vazhdimin e tyre me heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe që qeveria e Kosovës i vendosi në nëntor të vitit të kaluar.

Presidenti Hashim Thaçi dhe kryetari i parlamentit, Kadri Veseli, kanë kërkuar që të dëgjohen aleatët dhe ato të pezullohen.

Por, pezullimi i tyre vazhdon të kundërshtohet nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, sipas të cilit një gjë e tillë nuk mund të ndodh pa një kontratë për njohje të ndërsjellë me Serbinë dhe e cila përjashton prekjen e kufijve. Kryeministri Haradinaj ka thënë se tarifat ndaj mallrave serbe po e pengojnë formalizimin e ndarjes së Kosovës, ndërsa kritikoi një pjesë të politikanëve në Kosovë e Bruksel se e kanë shndërruar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë në atë për territore.

Mundësia që kufijtë e Kosovës dhe Serbisë të bëhen pjesë e një procesi bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve, është hedhur në verën e vitit të kaluar nga presidenti serb, Aleksandër Vuçic dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Derisa presidenti serb flet për vënie kufiri, duke nënkuptuar shkëputjen e veriut të Kosovës të banuar me shumicë serbe dhe bashkimin me Serbinë, presidenti Thaçi angazhohet për “korrigjimin e kufijve”.

Idetë kanë nxitur reagime të ndara edhe në skenën ndërkombëtare. Gjermania prin si kundërshtare e ideve të tilla meqë sipas saj mund të nxisin reagime zinxhirore në rajonin e Ballkanit, që ende nuk është ripërtërirë nga luftërat e përgjakshme të fundit të shekullit të kaluar.

Shtetet e Bashkuara thonë se të dyja palët duhet të arrijnë një marrëveshje normalizimi e cila “në thelb duhet të ketë njohjen e ndërsjellë”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG