Lidhje

Kosovë: Arrihet marrëveshja për presidentin, shmangen zgjedhjet e jashtëzakonshme


Kosovë: Arrihet marrëveshja për presidentin, shmangen zgjedhjet e jashtëzakonshme
Kosovë: Arrihet marrëveshja për presidentin, shmangen zgjedhjet e jashtëzakonshme

Udhëheqësit e tri partive politike në Kosovë, Partisë Demokratike, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e re, arritën një marrëveshje për tejkalimin e ngërçit politik dhe shmangien e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Pas disa ditë bisedimesh me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan Christopher Dell, kryetari i PDK-së Hashim Thaçi, ai LDK-së, Isa Mustafa dhe kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, thanë se kanë arritur një marrëveshje që i jep fundit krizës politike të krijuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila e shpalli jo kushtetuese zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

Në tekstin e marrëveshjes të paraqitur nga kryeministri Hashim Thaçi thuhet se “udhëheqësit e AKR-së, LDK-së dhe PDK-së nominojnë Atifete Jahjagën si kandidate për presidente të Republikës së Kosovës dhe shprehim përkrahjen e plotë të partive tona respektive për kandidaturën e saj. Jemi të përkushtuar ta vëmë interesin e vendit, mbi atë tonin”. Kandidatja e emëruar nga tre udhëheqësit politik, është zyrtare e lartë e Policisë së Kosovës.

Në tekstin e marrëveshjes thuhet se të tre udhëheqësit pajtohen që “menjëherë të formojnë një komision për reformën e zgjedhjeve presidenciale që do të hartojë amandamentet e nevojshme kushtetuese dhe çfarëdo legjislacioni të ndërlidhur të nevojshëm për të amandamentuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në mënyrë që presidenti të zgjidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga populli. Komisioni do të synojë të përfundojë punën e vetë brenda 6 deri 9 muaj nga data e themelimit të tij. Një anëtar i Kuvendit, i identifikuar nga koalicioni qeverisës do të udhëheq komisionin e themeluar për këtë qëllim”, thuhet në tekstin e marrëveshjes. Ata janë pajtuar që zgjedhjet e para të drejtpërdrejta presidenciale në Republikën e Kosovës të mbahen jo më vonë se gjashtë muaj nga data në të cilën ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe legjislative hyjnë në fuqi.

Po ashtu ata janë pajtuar që “menjëherë të formohet një komision për reformën e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, i cili mes dispozitave tjera do të përkrah krijimin e më shumë qarqeve zgjedhore në Kosovë dhe do të hartojë ndryshimet e nevojshme legjislative dhe kushtetuese për të arritur këtë qëllim. Komisioni do të synojë të përfundojë punën e vetë brenda 8 deri në 12 muaj nga data e themelimit të tij. Një anëtar i Kuvendit i identifikuar nga partitë opozitare do të udhëheq komisionin e themeluar për këtë qëllim. Ligji i reformuar për zgjedhjet e përgjithshme do të përfshijë një dispozitë që thotë se zgjedhjet para të përgjithshme, sipas ligjit të amandamentuar do të mbahen jo më vonë se 18 muaj nga data në të cilën ligji i reformuar për zgjedhjet e përgjithshme me amandamentet e ndërlidhura kushtetuese hyn në fuqi”, thuhet në marrëveshjen e cila u mbështet nga ambasadori amerikan Christopher Dell.

Zoti Dell tha se “udhëheqësit u treguan të gatshëm t’i vendosin interesat e shtetit para interesave të tyre. Fakti që unë jam me ta tregon se ata mund të punojnë për të mirën e këtij vendi”. Ai vlerësoi lartë edhe vendimin e zotit Pacolli për t’u tërhequr nga kandidatura e tij për postin e presidentit, prej nga u largua pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Vetë zoti Pacolli tha ndërkaq se “koalicioni qeverisës do të vazhdojë, ndërkaq me qëllim të tejkalimit të kësaj krize politike dhe institucionale, unë jam tërhequr nga rikandidimi im për postin e Presidentit të Republikës”.

Pas marrëveshjes së, pritet që Parlamenti i Kosovës të mblidhet për të zgjedhur presidentin, ndërsa përballë kandidates së propozuar me këtë marrëveshje duhet të vihet edhe një kandidat tjetër.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG