Lidhje

Bien investimet dhe dërgesat e emigrantëve në Kosovë



Udhëheqësit e Bankës Qendrore të Kosovës e përshkruan me tone jo shumë të këndshme rrjedhën e zhvillimeve ekonomike në vitin 2012. Gjatë prezantimit të raportit vjetor për vitin 2011 dhe të dhënave për periudhën e parë të këtij viti, kryetari i këshillit drejtues të Bankës Qendrore, Gazmend Luboteni, tha se në vitin 2011, me gjithë krizën e rëndë në eurozonë, Kosova ka arritur të ruajë qëndrueshmërinë e saj me një rritje ekonomike prej 5 për qind, ndërsa parashikimet për vitin 2012 thonë se ajo do të jetë 3.8 për qind.

Përsëri vazhdojnë ato trendet negative, në radhë të parë importet shumë të larta dhe eksportet të cilat për fat të keq janë duke u zvogëluar dhe sidomos në fillim të këtij viti dhe dërgesat e imigrantëve të cilat kanë shënuar trend pozitiv gjatë vitit 2011, mirëpo në periudhën gjashtëmujore të këtij viti kemi pasur trende negative dhe rënie mjaft të madhe edhe të eksporteve e dërgesave por edhe të investimeve të huaja direkte që janë jashtëzakonisht të rëndësishme për ekonominë e Kosovës dhe për fuqizimin e ekonomisë së saj”.

Zoti Luboteni tha se edhe tregu i punës është një nga problemet e rënda të Kosovës.

Edhe një problem tjetër që ka mbetur ende prezent dhe vazhdon të jetë përkundër normës pozitive të rritjes ekonomike është niveli i lartë i papunësisë që e ka Kosova. 45 për qind është vlerësimi që është shumë i lartë dhe një nga arsyet kryesore është për shkaka të moshës së re popullsisë së Kosovës dhe rritjes së kontigjentit të punës për çdo vit, që natyrisht ekonomia e Kosovës me këto kapacitete që ka nuk mund të absorboj aq lehtë”, tha ai.

Për Guvernatorin e Bankës Qendrore, Gani Gërguri, ndër sfidat kryesore është dallimi i thellë ndërmjet eksporteve dhe importeve të Kosovës.

Deficiti i lartë tregtar mbetet sfida kryesore për ekonominë e vendit tonë, aq më tepër kur dihet se ky deficit është kryesisht i udhëhequr nga importi i mallrave, në të njëjtën kohë kjo sfidë është edhe kërcënim por edhe mundësi për ta marrë si pikënisje për fillimin e ri - dizajnimit të modelit të rritjes ekonomike të vendit tonë”, tha zoti Gërguri

Për ta ndryshuar gjendjen aktuale, Kosovës i duhet një rritje ekonomike prej mbi 7 për qind. Trendi i investimeve në Kosovë dhe zhvillimet në botë, vështirë se mund të sigurojnë edhe për një kohë rritje të tillë, ndërsa studimet e Bankës Botërore parashikojnë një rritje të ngadalshme të ekonomive të vendeve të Evropës Juglindore.
XS
SM
MD
LG