Lidhje

Hoxhiç: Zyra e qeverisë në veri nuk kërcënon askënd


Shefja e zyrës administrative në veri të Mitrovicës, Adriana Hoxhiç tha se zyra e saj nuk kërcënon asnjë institucion që vepron në atë zonë

E themeluar disa muaj më parë dhe ende në ndërtim e sipër, zyra administrative e qeverisë së Kosovës në veriun e Mitrovicës, është në përfundim të përzgjedhjes së personelit të saj. Shefja e kësaj zyreje, Adriana Hoxhiç, thotë se pjesa më e madhe e punonjësve janë nga pjesa veriore e qytetit. Punësimi i tyre në zyrën e qeverisë së Kosovës, është përcjellë edhe me kërcënime dhe incidente të strukturave politike të mbështetura nga Beogradi në veri.

Policia bëri të ditur sot se një makinë, pronë e një qytetari serb, është djegur në rrethana të pasqaruara në veri. Rasti është cilësuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, por nuk janë dhënë më shumë hollësi rreth tij, ndonëse, jo zyrtarisht mësohet se makina është pronë e një punonjësi të zyrës administrative.



Zonja Hoxhiç, thotë se përpjekjet për frikësim të punonjësve mund të dëmtojnë punën e zyrës së saj, por më shumë vetë qytetarët në veri.

Gjithsesi, por më të rrezikuarit do të jenë ata qytetarë që do t’u nënshtrohen kërcënimeve. Kjo nuk është demokraci. Askush nuk ka të drejtë që t’i kërcënohet dikujt qoftë që të punojë në këtë zyrë apo që të shfrytëzojë shërbimet e kësaj zyreje administrative”.

Shpeshherë si argument për t’i thënë jo kësaj zyreje, është përmendur fakti se kjo zyrë financohet nga buxheti i Prishtinës. Unë po e përsëris se gjithashtu edhe administrata e Misionit të Kombeve të Bashkuar është financuar nga Prishtina dhe të gjithë ata që kanë punuar në atë administratë, kanë marrë pagat nga buxheti i Kosovës, njësoj sikundër do të marrin pagat ata që punojnë për zyrën administrative”, tha zonja Hoxhiç, duke inkurajuar qytetarët serbë në veri që t’i drejtohen zyrës së saj.

Veriu i Mitrovicës ka elitën e tij, që sigurisht, nuk do të durojë që dikush tu tregojë se çfarë të bëjnë dhe si të bëjnë. Ata janë mjaft të vetëdijshëm dhe të urtë që të vendosin në emrin e tyre”.

Qytetarët e veriut të Mitrovicës e dinë shumë mirë se ne nuk jemi kërcënim për asnjë institucion që vepron në veri të Mitrovicës. Ky nuk është mandati ynë. Në nuk merremi me komunën serbe, ta themi, sepse kjo nuk është detyrë e jona. Ne jemi këtu për të lehtësuar jetën e qytetarëve në arsim, shëndetësi. Ne jemi shumë të interesuar të mbështesim ato institucione, jo t’i vëmë në pikëpyetje apo t’i mbyllim”, tha zonja Hoxhiç, sipas së cilës kjo nuk nënkupton bashkëjetesë me strukturat paralele të mbështetura nga Beogradi.

Sipas planit të Marti Ahtisaarit, arsimi dhe shëndetësia nuk janë struktura paralele”, tha zonja Hoxhiç, duke nënvizuar se synimi i vetëm i zyrës është përmirësimi i jetës së qytetarëve.

Qeveria e Kosovës, në fund të muajit maj vendosi të themelojë Zyrën Administrative në pjesën veriore të Mitrovicës, për të ofruar shërbime për qytetarët e asaj zone dhe për të bashkërenduar, siç thuhet, angazhimet dhe investimet qeveritare në atë pjesë të vendit.

Zyra që është kundërshtuar nga Beogradi dhe përfaqësuesit politikë të serbëve në veri, është mbështetur nga komuniteti ndërkombëtarë që atë e sheh si një hap drejt krijimit të një komune të veçantë në Mitrovicën e Veriut, siç parashihet edhe me planin e kryengeociatorit Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës.

Zyra ndodhet në lagjen e boshnjakëve, siç quhet një lagje me popullsi të përzier në veri të qytetit, një lagje ku herë shfaqet e herë zhduket hendeku ndërmjet komuniteteve, që tash e 13 vjet jetojnë nën hijen e ndarjeve të thella etnike.
XS
SM
MD
LG