Lidhje

Kosovë: Gjykata Kushtetuese e cilëson jo kushtetuese zgjedhjen e presidentit


Kosovë: Gjykata Kushtetuese e cilëson jo kushtetuese zgjedhjen e presidentit
Kosovë: Gjykata Kushtetuese e cilëson jo kushtetuese zgjedhjen e presidentit

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e shpalli jo kushtetues zgjedhjen e presidentit të Kosovës nga parlamenti.

Vendimi, i cili u bë publik të hënën, ishte në përgjigje të kërkesës së 34 deputetëve nga Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që i ishin drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të dhënë opinionin e saj rreth procedurës së zgjedhjes së zotit Behgjet Pacolli në postin e presidentit të Kosovës.

Zoti Pacolli u zgjodh më 22 mars, në raundin e tretë të votimit në parlament, me 62 vota pro, 4 kundër dhe një të pavlefshme. Në dy raundet e para ai mori respektivisht 54 dhe 58 vota. Zgjedhja e tij pasoi një pushim ndërmjet raundit të dytë dhe atij të tretë të votimeve, i cili u cilësua nga kryetari i Parlamentit Jakup Krasniqi si anti kushtetues dhe që mund të jetë shfrytëzuar për t’u bërë trysni deputetëve. Procedura e votimit është arsyeja e kërkesës për opinionin e Gjykatës Kushtetuese.

Me shumicë votash, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në opinionin e saj shprehet se “Vendimi i Parlamentit të Kosovës, për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, me datë 22 shkurt 2011, është jo kushtetues dhe në kundërshtim me kërkesat e nenit 86 të Kushtetutës dhe me parimet demokratike të mishëruara aty”.

Në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese nuk saktësohet se çfarë do të ndodhë pas këtij vendimi, nëse do të ketë një rivotim të presidentit aktual, apo procesi duhet të fillojë nga e para.
Nuk ka pasur një reagim të menjëhershëm të zyrës së presidentit apo të partnerëve të koalicionit qeverisës, të cilët në paralajmërimet e deritashme kanë theksuar se janë të gatshëm të përballen me Gjykatën Kushtetuese.

Zgjedhja e presidentit pasoi marrëveshjen ndërmjet Partisë Demokratike të kryeministrit Hashim Thaçi dhe Aleancës Kosova e Re të presidentit Behgjet Pacolli për krijimin e koalicionit qeverisës. Kjo marrëveshje, e cila ka nxitur mospajtime edhe brenda Partisë Demokratike, është kundërshtuar nga opozita.

Kjo është hera e dytë që Gjykata Kushtetuese shqyrton çështje që kanë të bëjnë me presidentin e vendit. Herën e parë, një vendim i tillë çoi në zgjedhje të parakohshme. Në shtator të vitit të kaluar Gjykata Kushtetuese vendosi që ish presidenti Fatmir Sejdiu, kishte shkelur kushtetutën duke mbajtur dy poste, atë të presidentit dhe të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Pas këtij vendimi, presidenti dha dorëheqje, duke krijuar një situatë të re politike, që u pasua nga zgjedhjet e parakohshme.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG