Lidhje

Përfundon 0-0 ndeshja e parë ndërkombëtare e Kosovës


Ndeshja e futbollit ndërmjet Kosovës dhe Haitit përfundoi pa gola.

Kjo ishte ndeshja e parë ndërkombëtare e Kosovës në kuadrin e Federatës Ndërkombëtare të Futbollit që u luajt në stadiumin e Mitrovicës me emrin e Adem Jasharit, në kujtim të ish komandantit të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, i vrarë 16 vjet më parë në përleshje me forcat serbe.

Ndeshja e sotme pasoi një periudhë përpjekjesh të gjata të Kosovës për të siguruar përfshirjen në konkurime ndërkombëtare. Në janar Federata Ndërkombëtare e Futbollit i dha lejen Kosovës që ekipet e saj të luajnë ndeshje miqësore futbollit në planin ndërkombëtar.

Sipas FIFA-s ekipeve të Kosovës u lejohet të luajnë ndeshje të tilla pa simbole shtetërore dhe me një shënim afër emrit të saj. Shënimi ishte pjesë e marrëveshjes së vitit 2012 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me të cilin i mundësohej Kosovës pjesëmarrja në forumet ndërkombëtare.

Ekipi i Kosovës që luajti sot përbëhej nga 22 lojtarë, nga të cilët vetëm njëri është i ekipeve vendase, ndërsa të tjerët janë pjesëtarë të ekipeve të ndryshme evropiane. Ndonëse ndeshje miqësore, ajo shihet si një ngjarje me rëndësi në përpjekjet për të thyer izolimin e sporteve të Kosovës.

Kosova e cila shpalli pavarësinë e saj gjashtë vjet më parë dhe është njohur nga mbi 100 vende të botës, ende nuk mund të jetë anëtare e FIFA-s për shkak se nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara.
XS
SM
MD
LG